Ndërlidhjet

FAMILJARËT E PERSONAVE TË PAGJETUR PROTESTOJNË GJATË TAKIMEVE TË GRUPIT TË KONTAKTIT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Ndërkohë që përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit takoheshin me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, dhjetëra familjarë të personave të pagjetur kanë mbajtur një protestë përpara Zyrës Amerikane në Prishtinë, në kërkim të informacioneve që do të ndriçonin fatin e të afërmve të tyre.
Nysrete Kumnova, udhëheqëse e shoqatës ‘‘Thirrjet e Nënave”, shoqatë kjo e cila ka organizuar protestën e sotme, tha se protesta e sotme kishte për qëllim t’i njoftojë përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit me gjendjen aktuale rreth personave, të cilët llogariten si të zhdukur që prej luftës në Kosovë.
“Kjo është një ndër kërkesat e mëdha, ne jemi duke kërkuar djemtë që gjashtë vite, por për askënd nuk është shumë e vlefshme. Por, për ne janë të vlefshëm edhe pse nuk del askush të kontaktojë me këto nëna”, tha zonja Kumnova.
Ferdeze Efendija, gjithashtu nga kjo shoqatë, tha se përderisa nuk zbardhet fati i personave të pagjetur, Kosova nuk do të ketë paqe dhe as stabilitet.
“Ende populli i Kosovës, ashtu edhe ndërkombëtarët, nuk janë duke kuptuar dhimbjen që kemi, dhe ende nuk janë duke e kuptuar se pa zbardhjen e fatit të këtyre djemve, dhe kthimin e tyre në vendlindje, nuk do të këtë paqe. Prandaj, këta njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojnë, se veç sa po e shtyjnë kohën dhe keqtrajtimin e familjarëve, po ashtu edhe një zhagitje të qetësisë së Kosovës”, tha zonja Efendija.
Zonja Efendija gjithashtu ka kërkuar nga institucionet vendore që të punojnë më shumë në këtë drejtim dhe që në agjendën e tyre, çështja e të zhdukurve, të cilësohet si prioritare.
“Shumë pak, edhe mundem të them se nuk po punojnë hiç. Sepse po të ishin në nivel prej ditës së parë institucionet vendore, së bashku me familjarët, kjo tashmë do të kishte qenë e përfunduar”, tha zonja Efendija.
Bisedimet teknike në mes të Prishtinës dhe Beogradit mbi çështjen e të zhdukurve tashmë kanë filluar në nivel të grupeve punuese. Në bazë të të dhënave të grupit punues nga Prishtina, numri i përgjithshëm i personave të pagjetur është 3064, prej të cilëve 2340 janë shqiptarë, 523 janë serbë, kurse 201 të tjerët janë pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.
XS
SM
MD
LG