Ndërlidhjet

J. KRASNIQI: JAM SKEPTIK QË FORUMI POLITIK DO TA PËRMBUSHË MANDATIN PËR ARRITJEN E KONSENSUSIT LIDHUR ME ÇËSHTJET ME INTERES PËR KOSOVËN


Jakup Krasniqi, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, këto ditë në Prishtinë ka qenë në Kosovë ambasadori Kai Eide me misionin e tij për të bërë një vlerësim të përmbushjes së standardeve. Ndërkohë edhe Kuvendi i Kosovës pritet që të diskutojë këtë çështje. Sa konsideroni se në Kosovë është arritur një përparim i dukshëm, sidomos në standardet e cilësuara si prioritare?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj që Kai Eide është një njohës i mirë i rrethanave në Kosovë. Ai ka bërë kohë më parë një raport që mendoj ka qenë mjaft i pjekur dhe mjaft realist. Në Kosovë ka ndryshime të mëdha. Ne disa standarde mendojmë dhe besojmë që ka kohë që janë plotësuar në Kosovë. Sidomos është plotësuar standardi për t'u krijuar hapësirë pakicave, në përgjithësi të tjera në Kosovë, përveç asaj serbe. Edhe pse pakica serbe më tepër është penguese e standardeve, megjithatë është krijuar hapësirë e mjaftueshme. Ka dhe standarde të tjera, që në një formë ose një tjetër, sa i përket statusit politik të Kosovës, janë të mjaftueshme për t'u njohur Kosova si shtet sovran dhe i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje Grupi i Kontaktit ka kërkuar që të shpejtohen hapat në lidhje me decentralizimin dhe atyre që janë përcaktuar si pilot projekte. Mirëpo ndërkohë a konsideroni se në Kosovë ka një konsensus të brendshëm që të fillohet me këto pilot projekte, duke u bazuar në faktin se Kuvendi i Kosovës e ka diskutuar këtë çështje kohë më parë?

JAKUP KRASNIQI
Decentralizimi siç është planifikuar, sidomos në dokumentin e fundit të qeverisë së re ne mendojmë se nuk është decentralizim. Absolutisht nuk ka lidhje me decentralizimin, dhe nuk ka lidhje as me reformën e pushtetit lokal. Ne i kemi diskutuar në parlament dhe mendoj se aty për çështjen e decentralizimit dhe të reformimit të pushtetit lokal, ka konsensus të plotë. Por në çdo vend të botës decentralizimi apo reformimi i pushtetit vendor është bërë mbi bazën e ligjeve. Paraprakisht është bërë mbi bazën e kushtetutës, mbi bazën e ligjeve për funksionimin e pushtetit vendor, për financat, për ndarjen administrative, e pastaj bëhet edhe krijimi i komunave të reja nëse ka nevojë, por jo mbi baza etnike. Ne mendojmë se po shkohet drejt një enklavizimi, i cili ka për të thelluar pushtetin paralel serb në Kosovë dhe mendoj që në këtë formë dhe me këtë presion që po bëhet, nuk i ndihmohet as reformimit, as decentralizimit dhe në fund të fundit nuk i ndihmohet as integrimit të pakicës serbe në jetën publike, institucionale dhe shoqërore në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni atëhere se projekti i qeverisë do të kthehet sërisht në Kuvend për diskutim?

JAKUP KRASNIQI
Në çdo parlament vendimin politik për ndarjen administrative, për formimin e komunave të reja, do duhej ta merrte parlamenti. Qeveria egzekuton vendimet e parlamentit. Në fund të fundit qeveria është egzekutiv i vendimeve që merr parlamenti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, që fundi në Prishtinë është krijuar edhe një trup i ri, një Forum politik i Kosovës, ku përfaqësohet presidenti i Kosovës dhe liderët e partive më të mëdha politike. Sa konsideroni se ky trup do të arrijë qëllimin për të cilin është formuar, që të arrijë konsensus për çështje të cilësuara si me interes për Kosovën, sidomos para fillimit të diskutimeve për statusin e Kosovës?

JAKUP KRASNIQI
Një forum, i cili do të funksiononte dhe do të kishte për qëllim krijimin e një konsensusi rreth disa problemeve në Kosovë, Kosovës, dhe jo vetëm Kosovës, por ndoshta edhe vetë politikës së Bashkimit Evropian dhe të komunitetit ndërkombëtar, do t'i konvenonte. Por unë kam bindjen se duke njohur njerëzit që do të jenë në atë forum, duke njohur papërgjegjësinë e atyre njerëzve gjatë një periudhe të gjatë në Kosovë, unë jam skeptik se ky forum, me këtë përbërje, do të arrijë krijimin e një konsensusi. Në fund të fundit një konsensus, po të zhvillohej një debat më i gjerë në Kosovë, do të mund të arrihej edhe në parlamentin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë forum përfaqësohet edhe Partia Demokratike e Kosovës. Ju jeni Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie. Pse atëhere merrni pjesë nëse besoni se nuk do të përmbushet mandati i tij?

JAKUP KRASNIQI
PDK-ja merr pjesë, është një e vërtetë e madhe. Por unë jam në skenën politike shumë vite më parë, sesa është Partia Demokratike dhe duke qenë njohës i mirë i skenës politike në Kosovë, duke analizuar hap pas hapi pjesëmarrjen e njerëzve në skenën politike në Kosovë, në jetën politike në Kosovë, duke njohur nivelin e përgjegjësisë të disa përfaqësuesve të partive politike që do të jenë në forum, unë kam një qëndrim tjetër. Ne jemi në forum ku do të përpiqemi si subjekt politik të ndihmojmë në krijimin e një konsensusi, por ajo nuk varet as nga Partia Demokratike, as nga përfaqësuesi i kësaj partie, por varet nga ato forca politike që janë në numër më të mëdha. Tani rrjedha e forumit varet nga Lidhja Demokratike e cila ka presidentin, i cili është i LDK-së, një përfaqësues tjetër të LDK-së, përfaqësuesin e Aleancës që është në koalicion me me Lidhjen Demokratike, është përfaqësuesi i ORA-s, dhe i Partisë Demokratike, që përsëri në këtë rast janë në pakicë. Nuk e di sa do të mund të arrihej një konsensus i plotë.

Intervistoi Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG