Ndërlidhjet

GJENDJA EKONOMIKE NDIKON PO AQ SA E SIGURIA NË KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Albana Isufi, Prishtinë

Gjendja ekonomike pothuajse ka zëvendësuar problemin e sigurisë dhe sipas zyrtarëve tani kjo mbetet pengesa më e madhe në kthimin e të zhvendosurve.
Të zhvendosurve mund t’u sigurohet strehimi, rindërtimi i shtëpive, por jo edhe punësimi i tyre.
“Njerëzit nuk besojnë se pas kthimit ata mund të jetojnë dhe mbajnë familjen, sepse situata ekonomike është problem i madh, që ka kaluar edhe aspektin e sigurisë. Kur ne i pyesim njerëzit që duan të kthehen, brenga kryesore e tyre është nëse do të mund t’u sigurohet punësimi, kur të kthehen, nëse do të kenë pensione, kujdes shëndetësor”, thotë Laurie Wiseberg, nga Zyra për Kthime dhe Komunite në UNMIK.
Zëdhënësi i qeverisë Daut Dauti, thotë se kthimi i të zhvendosurve nuk paraqet më problem politik, sic ka ndodhur më parë.
“Tashti janë krijuar të gjitha kushtet që të kthehen refugjatët, flasim për aspektin e sigurisë dhe të rrethanave të tjera, mirëpo problemi kryesor tani është se mungojnë paratë, mungon buxheti, që të vendosin të gjithë ata që shprehin dëshirën që të kthehen në Kosovë".
Ministri për Kthim dhe Komunitete Sllavisha Petkoviq, po ashtu radhit ekonominë si një ndër problemet që po e pengon kthimin.
“E pengon shumë dhe pas aspektit të sigurisë, ekonomia është problemi më i madh që pengon kthtimin. Dhe jo vetëm atë, por është problem i madh edhe i njerëzve që jetojnë këtu”, thotë Petkoviq, duke shtuar se ministria, që ai drejton ka programe të caktuara për punësimin e të kthyerve.
“Ne në ministri kemi programe e projekte për punësim, por nuk kemi të holla. Do të presim nga donatorët të shohim nëse po paraqitet dikush të ndihmojnë, sepse pa ata nuk mund të bëjmë asgjë”, tha Petkoviq, duke shtuar se mbi 8 milionë euro që janë dedikuar kthimit të të zhvendosurve, nuk janë të mjaftushme për të mundësuar një kthim të qëndrueshëm.
Në anën tjetër zëdhënësi Daut Dauti, thotë se qeveria nuk është në gjendje të krijojë vende të reja pune, pasi gjendja ekonomike është e njëjtë sikur për shumicën shqiptare, ashtu edhe për pakicat, që planifikojnë të kthehen.
“Me papunësinë do të ballafaqohen serbët, njëlloj sikurse ballafaqohen edhe shqiptarët. Dhe kjo është diçka e keqe që i diskriminon të dyja palët njëlloj".
Për kthimin e të zhvendosurve institucioneve të Kosovës u është kërkuar vazhdimisht që të punojnë më shumë dhe kjo është theksuar edhe në takimin e djeshëm të Grupit të Kontaktit.
Megjithatë, zyrtarët qeveritarë thonë se përveç ofrimit të kushteve të sigurisë dhe thellimit të dialogut ndërtenik, nuk mund të krijojnë kushte, që as shumica e populalëts në Kosovë nuk i gëzon.



XS
SM
MD
LG