Ndërlidhjet

logo-print

VAČEK: OSBE E SHQETESUAR PËR PARREGULLSITË


Ambasadori Pavel Vaček, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

RADIO EVROPA E LIRË
Vetëm dy javë e ndajnë Shqipërinë nga zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut. A mund të na thoni se cilat janë shqetesimet kryesore që ka Prezenca e OSBE-së deri në keto momente lidhur me fushatën zgjedhore?

PAVEL VAČEK
Ka disa shqetësime për një sërë parregullsish. Ne jemi më pak të shqetësuar për parregullsitë teknike dhe administrative, të cilat mund të ndreqen. Unë besoj se të gjitha autoritetet përgjegjëse, qoftë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore apo komisionet zgjedhore, po bëjnë më të mirën e mundshme për trajtimin e parregullsive proceduriale dhe administrative. Aktualisht, ne jemi më të shqetësuar nga fakti se ka disa kandidatë të emëruar nga partitë përkatëse, që nuk sillen sipas standardeve më të larta të miratuara nga partitë politike shqiptare, të përfshira në kodin e sjelljes.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se këto zgjedhje përbëjnë një test të rëndësishëm për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit? Cili është rreziku kryesor për këto zgjedhje?

PAVEL VAČEK
Çështja kryesore është nëse Shqipëria do të jetë në gjendje të bëjë zgjedhje më të mira dhe sa më në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. Siç dihet, kjo është sfida që i bën këto zgjedhje kaq të rëndësishme, jo vetëm për vetë vendin, demokracinë e tij, por edhe për ambicjet e jashtme të Shqipërisë.
Besoj se rreziku që unë shoh është se kombinimi i të gjitha parregullsive individuale të llojeve të ndryshme, nuk do ta lejonte Shqipërinë të bënte zgjedhje më të mira në një masë të konsiderueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është opinioni juaj për fenomenin e Dushkut dhe mënyra se si ai po zbatohet në këtë fushatë?

PAVEL VAČEK
Opinioni ynë është formuluar në raportet e nxjerra nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it. Ai përfaqeson edhe opinionin tonë dhe, për ta thënë thjesht këtë, është parë se efekti i marrëveshjeve të tilla për një votim taktik është deformues. Ky është një fakt jetësor, që është ditur dhe është vënë në dukje nga ana jonë disa herë.
Unë, personalisht, nuk mendoj se zgjedhësit shqiptarë dinë mjaftueshëm për këto marrëveshje të bëra midis partive për një votim taktik, dhe, për sa kohë ata nuk dinë mjaftueshëm, vështirë se mund të zgjedhin duke qenë të mirëinformuar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se vonesat në listat e votuesve mund ta vënë në rrezik zhvillimin e zgjedhjeve?

PAVEL VAČEK
Ka pasur disa probleme lidhur me listat e zgjedhesve dhe ne, tani, e kemi fjalën për listat përfundimtare. Ne, pa dyshim, jemi përfshirë në mbështetjen e autoriteteve shqiptare për prodhimin e listave më të mira zgjedhore. Pa dyshim, ka pasur vonesa në nivele dhe faza të ndryshme të proceseve, por ne shohim, gjithashtu, që vonesat kanë rezultuar në veprime korrigjuese. Dhe, pa dyshim, shohim një përmirësim të vazhdueshëm, që është edhe falë veprimeve korrigjuese të ndërmarra nga autoritete të ndryshme të përfshira në përgatitjen e listave zgjedhore, si nga Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, ashtu edhe nga vetë kryetarët e njësive vendore. Qëllimi ynë ka qenë që të ndihmojmë Shqipërinë të realizojë lista më të mira zgjedhore. Janë investuar burime në to, të cilat kanë ardhur nga Komisioni Evropian dhe ne besojmë se përpjekjet tona, të cilat ne i kemi ndërmarrë bashkarisht me autoritetet shqiptare, do të çojnë në rezultatin e dëshiruar, por ka edhe disa probleme sistemike të trashëguara në sistemin zgjedhor, dhe do të vijmë edhe aty.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni optimist se këto zgjedhje do të shkojnë mirë?

PAVEL VAČEK
Duhet të jem optimist. Kjo është pjesë e qëndrimit tonë dhe e mënyrës se si ne i trajtojmë gjërat. Por, në të njëjtën kohë, me afrimin e ditës së zgjedhjeve, ne nuk mund të rrimë pa vënë re se parregullsitë po shtohen. Unë do të ritheksoja që nuk janë çështjet administrative që mund ta bllokojnë procesin, por janë më shumë çështjet që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e partive politike dhe udhëheqjeve të tyre përkatëse, si dhe me shkallën e përgjegjshmërisë së tyre ndaj sjelljes së njerëzve konkretë, qoftë edhe kandidatë dhe, më konkretisht, në ditën e zgjedhjeve, performancën e administrimit të zgjedhjeve, përfshi këtu performancën e komisioneve zgjedhore. Ky është çelesi për të pasur zgjedhje më të mira sipas standardeve ndërkombëtare.

Intervistoi: Alma Çupi

XS
SM
MD
LG