Ndërlidhjet

logo-print

BRUKSEL


Shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, nga samiti i tyre në Bruksel, përmes një deklarate të posaçme për Kosovën, i kanë bërë thirrje edhe një herë liderëve kosovarë dhe atyre në Beograd, që të mos pengojnë procesin e përmbushjes së standardeve, si dhe kanë bërë thirrje për të dyfishuar përpjekjet në arritjen e rezultateve për kthimin e refugjatëve dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Deklarata për Kosovën është vënë si një pjesë e veçantë e konkluzave të përgatitura për t'u miratuar në këtë samit.
Përmes kësaj deklarate, liderët e BE-së e mirëpresin raportin e fundit të OKB-së për Kosovën, dhe emërimin e ambasadorit Kai Aide si të dërguar të posaçëm për vlerësimin e gjendjes së përgjithshme në Kosovë dhe vlerësimin e standardeve.
Duke rikonfirmuar përkushtimin e BE-së për të kontribuar në proceset në Kosovë, Këshilli i BE-së nga samiti në Bruksel ka përsëritur se procesi i bisedimeve për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Poashtu thuhet se rezultati i procesit të vlerësimit të standardeve nuk mund të parapërcaktohet.
Sa i përket statusit të Kosovës, liderët e BE-së u bëjnë thirrje palëve që të dëshmojnë një vullnet të mirë për të arritur një zgjidhje, e cila do të ishte e pranueshme në mënyrë të ndërsjellë. Këshilli i BE-së e ka nënvizuar rëndësinë e dialogut konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë.
Këshilli thotë se çfarëdo marrëveshje për statusin përfundimtar të Kosovës, duhet të parashohë që Kosova të mos kthehet në gjendjen para marsit 1999, pakicat të kenë garanca kushtetuese, të ketë garanca për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe mekanizma për të luftuar krimin dhe terrorizmin.
Këshilli evropian gjithashtu ka theksuar se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
XS
SM
MD
LG