Ndërlidhjet

logo-print

MOORE: KRIZA E BASHKIMIT EVROPIAN NUK ËSHTË FUNDI I BOTËS


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Liderët e Bashkimit Evropian gjatë samitit të fundit janë pajtuar që të shtyjnë ratifikimin e Kushtetutës Evropiane dhe kanë ftuar për një periudhë më të gjatë të reflektimit rreth Evropës. Çdo të thotë ky konkluzion?

PATRICK MOORE
Do të thotë se ata nuk kanë absolutisht asnjë ide se çfarë të bëjnë. Projekti për kushtetutën ka dështuarn dhe ata e dinë këtë gjë, por u mungon vullneti politik që ta pranojnë publikisht. Për rrjedhojë zgjedhin rrugën e lehtë për të dalë nga kjo situatë, e ngrijnë, ose e injorojnë për një kohë të gjatë. Mbase do ta trajtojnë sërish pas disa vitesh, nëse mendojnë se atmosfera politike do të ishte e përshtatshme, për shembull, nëse do të kishte një valë të re antiamerikanizmi në Evropë, siç kishte para një apo dy vitesh. Ka edhe një problem tjetër potencial në këtë çështje dhe këtë e kam dëgjuar nga disa miq të mi, të cilët janë kritikë ndaj BE-së dhe ai është se njerëzit si Zhak Shirak dhe Gerhard Shrëder nuk do ta pranojnë disfatën e kësaj kushtetute, por do të përpiqen që ta copëtojnë dhe të vënë në jetë pjesë të saj kohë pas kohe, duke i anashkaluar ose duke u hipur mbi kokë votuesve të tyre.
Një shembull i kësaj është që ata mund të përpiqen që të vënë në jetë, pa ndonjë ratifikim formal, institucionin e Ministrisë së re të Punëve të Jashtme, e cila do të ishte perandoria e Havier Solanës. Prandaj do të isha i interesuar të shoh nëse personalitetet si Zhak Shirak dhe Gerhard Shrëder do të kenë ambicjen politike apo arrogancën që të bëjnë diçka të tillë, kur votuesit përmes votës treguan se këtë nuk e duan.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët evropianë në samitin e Brukselit kanë thënë se do të respektojnë zotimet ndaj vendeve që dëshirojnë t'i bashkohen Unionit. Por gjatë samitit presidenti francez Zhak Shirak, ka thënë se BE-ja mbase nuk do të jetë e aftë të ballafaqohet me një numër më të madh të anëtarëve. Si e komentoni këtë çështje?

PATRICK MOORE
Mendoj që Shiraku ka thënë ndershmërisht dhe hapur atë që shumë prej liderëve të tjerë po e thonë privatisht. Zonja Benita Ferrero-Valdner tha diçka të ngjashme ditë më parë. Ajo tha se njerëzit në BE kanë nevojë për pushim, që të marrin frymë. Kjo besoj tregon kahjen nga po shkojnë gjërat. Kemi dëgjuar nga Oli Ren dhe nga kryeministri i Luksemburgut që marrëveshjet me Rumaninë dhe Bullgarinë do të respektohen dhe ndoshta kjo do të ndodhë realisht. Por, mund të presim me siguri që çfarëdo procesi negociator me Turqinë, i cili do të jetë i ngadaltë në të gjitha aspektet, do të bëhet edhe më i ngadalshëm. Votuesit francezë janë kundër tij dhe ndoshta do të shohim në shtator ndryshim në qeverisjen në Gjermani që mund të sjellë në pushtet një koalicion të partive, të cilat janë bukur shumë kundër anëtarësimit të Turqisë në BE. Nuk do të isha optimist as për rastin e Kroacisë. Duket se Kroacia rrezikoi shumë viteve të fundit, kur edhe pse në vitin 1995 fitoi mbështetjen amerikane, i ktheu kurrizin Shteteve të Bashkuara kur ato i kërkuan ndihmë në Irak, duke menduar se anëtarësimi në NATO nuk ishte aq i rëndësishëm, dhe më e rëndësishmja ishte hyrja e tyre në BE. Pra, duke mos shkuar në Irak menduan se do të fitonin kapital politik në Berlin dhe Paris. Por kjo nuk duket se u ndihmoi. Në fakt, Maqedonia dhe Shqipëria u treguan shumë më inteligjente në këtë çështje dhe arritën të marrin pjesë në konfliktin në Irak pa i djegur urat e tyre me Brukselin. Për rrjedhojë, mendoj se kroatët bënë një llogari shumë të keqe duke bërë kritikë të politikës së tyre në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe një pyetje, çfarë mund të presë Ballkani në tërësi? A ka rrezik që të mbetet jashtë Bashkimit Evropian dhe për një kohë të gjatë i izoluar?

PATRICK MOORE
Sapo diskutuam Rumaninë, Bullgarinë, Turqinë dhe Kroacinë dhe personalisht nuk mendoj që nëse procesi i anëtarësimit të Turqisë ngadalësohet jashtë mase, Kroacia apo ndonjë shtet tjetër do të ketë gjasa më të mëdha.
Koshtunica sugjeroi që Serbia dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen ndoshta nga viti 2012, por unë nuk mendoj se kjo është një mundësi. Kjo do të nënkuptonte humbje të perspektivave serioze në BE, humbje e ndjenjës së përkatësisë në klubin e të pasurve dhe humbjen e parave që të gjithë mezi presin t'i marrin. Por ky nuk është fundi i botës. Ka patur një botë para BE-së dhe do të ketë një botë pas BE-së. Duhet të kujtojmë se çfarë shkroi Henri Kisinxher në librin e tij të fundit, në të cilin tha se BE-ja është e ngathtë, burokratike dhe jo shumë efektive si partnere, dhe atë që ish kryeministrja britanike Margaret Theçer shkroi në librin e saj të fundit që thelbi i politikës ndërkombëtare janë shtetet kombëtare, e jo ndonjë lloj konglomerati si BE-ja apo OKB-ja.
Prandaj, ajo që mendoj se do të jetë gjëja më e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor, është që të krijojnë partneritet me një koalicion të shteteve kombëtare, akterë të vërtetë kombëtarë, siç janë vendet e Kuintit apo të Grupit të Kontaktit. Kjo mund të konsistojë me vendet, le të themi të Kuintit plus- disa vende ish komuniste si Çekia, Hungaria, apo Polonia. Mendoj se nëqoftëse do të bashkëpunojnë me këto akterë kombëtarë, mund të arrihet një sistem më efikas sesa negociatat me një trup të ngathtë, amorf e të komplikuar si Bashkimi Evropian apo Kombet e Bashkuara. E dimë që sistemi i shkrimit kinez kërkon vënien bashkë të disa shenjave, kështuqë shenja për krizën e përfshin edhe shenjën për mundësinë. Pra, nëse ka një krizë në Bashkimin Evropian, mund të ketë ndonjë mundësi diku tjetër.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG