Ndërlidhjet

KOSOVA ME MIJËRA TË ZHVENDOSUR NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË REFUGJATËVE


Albana Isufi, Prishtinë

Kosova ende nuk e ka zgjidhur problemin e kthimit të të zhvendosurve dhe në ditën ndërkombëtare të refugjatëve, përfaqësuesit e OKB-së u kanë bërë thirrje institucioneve që të punojnë më shumë për këtë çështje.
Përfaqësuesi i Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve te Bashkuara, për të drejtat e njeriut dhe personat e zhvendosur Walter Kalin, pasi ka takuar presidentin Rugova dhe kryeministrin Kosumi, ka kërkuar që çështja e kthimit të zgjidhet më shpejt.
“Në tërë botën janë rreth 25 milionë të zhvendosur dhe ne duhet të punojmë së bashku që të sigurohemi, që të gjithë këta njerëz të kthehen sa më shpejt në shtëpitë e tyre dhe të tejkalojmë të gjitha pengesat e mundshme. Ndërkaq në kontekstin e Kosovës shpresoj se do të shohim më shumë të kthyer në të ardhmen, sesa që kemi parë deri tani”.
Zëdhënësi i qeverisë Daut Dauti, thotë se deri tani është arritur sukses në numrin e të kthyerve, por kthimi i plotë i tyre nuk është bërë për shumë arsye.
“Mirëpo megjithatë suksesi nuk është i plotë pasi ka arsye politike, ekonomike dhe psikologjike, gjithashtu është arritur pajtueshmëri që institucionet e Kosovës, UNMIK-ut, UNHCR-së të ofrojnë më tepër ndihmë atyre të zhvendosurve të brendshëm, që janë në pjesë të ndryshme të Kosovës. Autoritetet e Kosovës duhet të marrin kompetenca për mbrojtjen e këtyre personave të zhvendosur”.


Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje të gjithë atyre që janë larguar nga Kosova pa dëshirën e tyre që të kthehen në shtëpitë e veta.
“Ne më së miri e dimë se sa e rëndë është jeta e refugjatit. Ne, vetë kemi kaluar nëpër këtë tragjedi. Por, ne edhe kemi treguar se kthimi është i mundshëm, duke riatdhesuar një milion refugjatë në kohën më të shkurtër," ka deklaruar ministri Haziri.
Qeveritarët, por edhe zyrtarët e UNMIK-ut kohët e fundit kanë vlerësuar se ekonomia, pothuajse ka zëvendësuar sigurinë, duke u bërë problemi numër një që po pengon kthimin, pasi qeveria nuk ka mundësi të krijojë vende të reja pune, ndërkaq të kthyerit kërkojnë një siguri ekonomike.
Ndërkohë, sekretari i Ministrisë për Kthim, Mihajlo Shqepanoviq, thotë se ministria planifikon që këtë vit të kthejë mijëra të zhvendosur.
“Planet e ministrisë janë që të kthehen 4-5 mijë të zhvendosur. Ne për 30 mijë metra katrorë të hapësirave të banimit, do të shpenzojmë 8.8 milionë euro nga buxheti ynë. Nëse sigurojmë më shumë para, jemi të gatshëm që të kthejmë edhe 25 mijë, por para se gjithash paratë janë problemi më i madh”, thotë Shqepanoviq.
Ndërkohë, derisa të gjithë flasin për kthimin, ende nuk dihen të dhënat e sakta për numrin e të zhvendosurve. Shifrat sillen nga 60 mijë deri në 200 mijë, varësisht se nga cili burim merren.
Daut Dauti flet për mbi 70 mijë të zhvendosur.
“Në Serbi numri më besnik që tregon numrin e të shpërngulurve është 65 mijë, në Mal të Zi rreth 13 mije dhe në Maqedoni 2 600. Këto shifra janë dhënë nga organizata neutrale”.
Ndërkohë, grupet punuese për kthimin nga Prishtina dhe Beogradi, në takimin e fundit kanë rënë dakord që në kuadër të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë së Kosovës, të ketë një projekt që do të regjistronte edhe të zhvendosurit dhe refugjatët kosovarë.


XS
SM
MD
LG