Ndërlidhjet

HYSA: KONSENSUSI VETËM I NDIHMON KOSOVARËT, E KALUARA TREGON SA KUSHTON PAPËRGATITJA PËR PROCESET KYÇE


Ylber Hysa, nënkryetar i partisë ORA

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, Kosova ka hyrë në fazën e vlerësimit të thellësishëm të standardeve dhe të vlerësimit politik nga zoti Kai Eide. Cili është pozicioni real i Kosovës në këtë fazë që ka hyrë?

YLBER HYSA
Po, pozicioni real është se duket që nga bashkësia ndërkombëtare dhe OKB është kuptuar se është tejzgjatur procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës dhe i është hyrë procesit të definimit, të një politike që është quajtur standardet për statusit, si diçka është që është premtuar një kohë të gjatë. Tani varet shumë nga kjo qeveri sa do të jetë në gjendje t’i pranojë këto politika, ndonëse mbetet e qartë që në skenën ndërkombëtare egziston një gadishmëri që ndoshta nuk ka qenë e tillë qe gjashtë vjet, për të pranuar mundësinë që Kosova seriozisht të hyjë në përcaktimin e statusit. Pra, nëse egziston një gadishmëri e tillë ndërkombëtare dhe një sens që megjithatë duhet shtruar statusit, mbetet nga ana tjetër, nga kosovarët dhe sidomos nga institucionet, që ta shohin këtë si një shans real, ndonëse nuk jam shumë i sigurt që ajo është kuptuar në mënyrë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
A është Kosova e përgatitur që t’i hyjë kësaj faze. Në ç’fazë është realizimi i Forumit Politik që është paraparë si përgjigje ndaj kësaj faze?

YLBER HYSA
Çështja e Forumit Politik është shtruar si një farë nevoje për ta arritur konsensusin ndërmjet kosovarëve. Jo gjithmonë është parë kështu nga pjesëtarë të ndryshëm aty. Sa na përket neve, ne jemi munduar ta përkrahim një ide të tillë thelbësore, thjesht për t’i dhënë shans mundësisë për të ndërtuar një platformë të përbashkët, ndonëse konsiderojmë që kjo varet edhe nga të tjerët dhe jo vetëm nga ne. Po qe se duhet të hyjmë në këtë proces kaq serioz për Kosovën, konsiderojmë se konsensusi është diçka që vetëm mund t’u ndihmojë kosovarëve. Në të kaluarën kemi parë se sa u kushton kosovarëve të hyjnë në procese të tilla të papërgatitur dhe të ndarë, prandaj sa na përket neve, jemi të hapur ndaj kësaj mundësie. Por nga takimi i fundit përgatitor që kemi pasur, kemi parë që të tjerët nuk e ndajnë këtë gadishmëri, madje propozimet nga disa pjesëmarrës në këtë takim që takimi i Forumit të mbahet një herë në muaj, ashtu siç funksionon parlamenti, duket që nuk është një kundrim serioz i mundësisë për të bashkërenditur pozicionet për të biseduar për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, kur e përmendët Kuvendin, partia juaj vazhdimisht ka bërë vërejtje ndaj punës së institucioneve. Sipas jush, ku është problemi kryesor për atë që ndonjëherë e quani funksionim i keq i institucioneve?

YLBER HYSA
Faktet janë të shumta. Nëse flasim për parlamentin, kjo nuk do të shumë koment. Mënyra se si ai udhëhiqet, sidomos nga i pari ndër të barabartit, zoti Daci, ka bërë që shpesh të ketë një energji të keqe të akumuluar panevojshëm. Siç u pa, debati i fundit për decentralizim tregoi se në mesin e deputetëve të Kosovës ka një gadishmëri dhe energji për të debatuar dhe diskutuar seriozisht. Prandaj, ka qenë e pakuptimtë mënyra se si disa pjesëtarë të parlamentit kanë dashur ta pengojnë këtë debat, sidomos në një kohë që po hyjmë tani, kur besoj se duhet shtuar aktiviteti dhe është e pakuptueshme që nuk ka, sidomos tani, gadishmëri për të ndërtuar mbi këtë bazë, mbi mundësinë që të ulemi dhe të bisedojmë më shumë, kur na duhet marrëveshje dhe bashkëbisedim. Dhe, fatkeqësisht kjo mosgadishmëri duket që tashmë u ka kushtuar shumë institucioneve të Kosovës dhe mund t’u kushtojë edhe më shumë, në një periudhë kaq intensive çfarë duhet të jetë kjo e verës, sepse të gjithë jemi koshientë se shtatori është koha kur do të gjykohet nga bashkësia ndërkombëtare se sa afër shtruarjes së statusit përfundimtar jemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, ndër standardet prioritare janë ato që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave. Si e shihni ju pozitën aktuale të pakicave në Kosovë?

YLBER HYSA
Pozita e pakicave, krahasuar sidomos pas 17 marsit, është inkurajuese sepse nuk ka pasur ndonjë shkelje serioze në kuptimin e ndonjë krimi, i cili do të rezultonte negativisht, mirëpo duhet bërë shumë më shumë. Përmendja e thatë e fakteve se sa pakica punojnë në Kosovë, siç kemi dëgjuar këto ditë, nuk besoj se do të bëjë shumë punë. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm, që ky është krijuar si një këndmatës për çështjen e statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Të premten, kleriku ortodoks serb Sava Janjiq u ka kërkuar falje shqiptarëve për ato që kanë vuajtur gjatë luftës në Kosovë. Cili do të jetë efekti i një deklarate të tillë?

YLBER HYSA
Unë e përshëndes këtë deklaratë të zotit Janjiq – më mirë vonë se kurrë – është e guximshme dhe e mençur në të njëjtën kohë, dhe si e tillë duhet përshëndetur. Në këtë mënyrë zoti Janjiq mund të kompensojë një vakuum të madh që e kanë krijuar liderët politikë serbë, të cilët nuk kanë gjetur guxim që ta gjykojnë të kaluarën e hidhur që ka ndodhur mbi Kosovën dhe mbi shqiptarët, dhe në këtë aspekt zoti Janjiq i ka bërë një të mirë komunitetit të tij dhe i ka kështu krijuar mundësi një procesi, i cili mund të vlerësohet më pozitivisht.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG