Ndërlidhjet

KRIZA NË BE LË NË HIJE ZGJERIMIN E MËTEJSHËM TË UNIONIT


Breffni O'Rourke

Vendet që dëshirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian, po përballen me një periudhë të gjatë të pasigurisë, për shkak të krizës që e ka përfshirë vetë Unionin.
Refuzimin e kushtetutës së re nga votuesit në Francë dhe Hollandë, politikanët e BE-së e shikojnë si shprehje të shqetësimit për ndikimin e zgjerimit mbi vendet e tyre të punës, identitetin dhe ambjentin. Dhjetë anëtarë të rinj janë pranuar vitin e kaluar, duke shënuar zgjerimin më të madh të bllokut, derisa qytetarët e shteteve të vjetra anëtare, ende nuk e kanë arsyetuar plotësisht këtë.
Philippe Moreau de Farge, analist në Institutin francez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, beson se Rumania dhe Bullgaria do të pranohen, siç është paraparë, në vitin 2007, pasi ato tashmë i kanë nënshkruar marrëveshjet e anëtarësimit. Mirëpo, shton ai, Turqia, Ukraina, Kroacia dhe shtetet e tjera, nuk mund të presin që një gjë e tillë të ndodhë shpejt.
"Vendet e tjera do të duhet të presin. Tani do të kemi një debat shumë të vështirë për çështje brenda BE-së", thotë de Farge.
Ndërkaq, Peter Zervakis, analist i Fondacionit "Bertelsmann" në Gjermani, thotë se pret që zgjerimi të vazhdojë, por ndoshta me kushte të tjera.
"Tipi klasik i zgjerimit – integrimi i plotë politik i vendeve të reja në lindje dhe juglindje të Evropës – ndoshta e ka kaluar kufirin. Prandaj, do të hartohen strategji të reja që fqinjëve t'u lejohet pjesëmarrje e plotë në suksesin e tregut të brendshëm, por jo edhe integrim politik, sepse ndjenja e solidaritetit në bllokun me 25 anëtarë është vërtet mjaft e dobët", thotë Zervakis.
Me fjalë të tjera, anëtarësimi i plotë ndoshta nuk do të jetë i mundur për kandidatët e ardhshëm.
Zervakis shpjegon më tej:
"Egzistojnë arsye strategjike dhe të tilla, që kanë të bëjnë me modernizimin, pse Turqia duhet që, në një mënyrë ose tjetër, të jetë brenda Evropës. Dhe çështja është, a nënkupton kjo patjetër integrim të plotë politik? Ose – bazuar në mendimet më të fundit – a do të jetë ky një lloj partneriteti i privilegjuar për Turqinë, Ukrainën, ose vendet e Ballkanit?", thekson ai.
Në Paris, Moreau de Forge, thotë se shumë vende të Evropës Lindore konsiderojnë se duke u bërë demokratike, automatikisht e fitojnë të drejtën e anëtarësimit në BE. Mirëpo, vlerëson ai, shumë popuj dhe anëtarë të bllokut, nuk e pranojnë më këtë mënyrë të arsyetuari.
"Nëse këto vende demokratizohen, kjo është e mirë për vetë ato. Dhe nëse mund të integrohen në BE pas demokratizimit, gjithashtu kjo është mirë. Por, ato nuk mund të fitojnë të drejtën e anëtarësimit, vetëm sepse janë demokratizuar", thotë de Forge.
Mirëpo, dështimi i udhëheqësve që të arrijnë marrëveshje për buxhetin afatgjatë nuk është problemi vetëm i Bashkimit Evropian tani. Egzistojnë edhe vështirësi të tjera specifike. Një nga këto është se Franca ka dekretuar një ligj, sipas të cilit zgjerimi i mëtejshëm duhet të miratohet me referendum popullor.
Një pengesë tjetër gjithashtu është edhe Partia Demokristiane në Gjermani, e cila duket se nga viti i ardhshëm do ta udhëheqë qeverinë, dhe ajo është kundër anëtarësimit të Turqisë.
Turqit kanë thënë tashmë disa herë se nuk do të pranojnë asnjë status të veçantë, që është më pak se anëtarësimi i plotë.
Kështu duket se ndihen edhe Ukraina, Kroacia e të tjerët.
Në Ankara, drejtori i Institutit të Politikës së Jashtme në Universitetin e Bilkentit, Seyfi Tashan, thotë se turqit nuk mund ta kuptojnë pse kandidatura e tyre është bërë kaq kundërthënëse.
"Nëse nuk mund të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit, kushtet e dëmshme që tani egzistojnë në Evropë, duhet të ndryshohen. Kjo është arsyeja pse ne shpresojmë, sepse – interesat ekonomike të BE-së, interesat e sigurisë dhe ato për energji – nuk do ta lejojnë Evropën që ta injorojë Turqinë duke e refuzuar anëtarësimin e Ankarasë tani", thotë Tashan.
Bisedimet formale për anëtarësim me Turqinë pritet të fillojnë në tetor. Por se kur do të përfundojnë ato, ndoshta me vite prej tani, duket çështje e hapur.
XS
SM
MD
LG