Ndërlidhjet

HAZIRI: JAM I GATSHËM TË FILLOJ ZBATIMIN E PILOT PROJEKTEVE PAS MIRATIMIT NGA PARLAMENTI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zbatimi i reformës së pushtetit lokal, përfshirë edhe pilot-projektet e decentralizimi, do të shkojë përfundimisht përmes miratimit në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar sot në Prishtinë Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës Lutfi Haziri. Ministri Haziri e ka bërë këtë deklaratë pas mbledhjes së sotme të qeverisë së Kosovës, ku çështja e decentralizimit ka qenë çështja kryesore e diskutuar, me ç’rast sipas ministrit, është arritur të ruhet konsensusi i domosdoshëm i arritur në parlamentin e Kosovës rreth kësaj çështjeje:
"Unë kam ardhur për të dëshmuar që reformat do të shkojnë brenda parlamentit dhe jam i lumtur që kjo ministri ka arritur të kompletojë dokumentin në tërësi dhe të ecë drejt asaj që e kemi quajtur konsensus i domosdoshëm në proces".
Ministri Haziri tha se ai sot ia kishte paraqitur qeverisë dokumentin e kompletuar, i cili do t’i dërgohet kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që ruajtja e konsensusit është vlerësuar si çështja më e rëndësishme, pas vërejtjeve që pati bërë opozita. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në opozitë, Ramë Buja, tha sot për Evropën e Lirë se kjo parti nuk është kundër procesit të reformimit të pushtetit lokal.
"Kemi përkrahur dhe ndihmuar procesin e decentralizimit, nga i cili nuk ka shmangie. Por ne presim që kjo nismë e decentralizimit që e kemi çmuar se nuk është nisur mbarë, me debatin që e patëm në parlament, të ketë të përfshira vërejtjet në projekt dhe ato të kthehen edhe një herë në parlament për ta marrë vizën para se të fillojë zbatimi".
Mirëpo, Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri, tha se dokumenti i miratuar sot nga qeveria ka adoptuar rekomandimet e grupeve parlamentare dhe të deputetëve:
"34 rekomandime janë përfshirë, shumica prej tyre në dokumentin kryesor të përbashkët mbi reformën e qeverisjes lokale, përfshirë edhe rolin e parlamentit përmes një komisioni ad-hoc, i cili do ta mbështesë, apo, po të doni do ta kontrollojë procesin në kuptimin politik".
Duke iu përgjigjur këtyre pohimeve, përfaqësuesi i PDK-së, Ramë Buja tha:
"Nëse vërtet është kështu, se janë inkorporuar të gjitha vërejtjet, apo ato më përmbajtësoret, atëherë do të jemi shumë të lumtur bashkë me ata që e kanë bërë, por jemi skeptikë që ka mundësi të bëhet një gjë e tillë, pasi bëhet fjalë për gjëra shumë të rëndësishme, shumë përmbajtësore dhe gati-gati të pazbatueshme, për momentin.
Çështja e decentralizimit është vënë në thumbin e kritikave nga Grupi i Kontaktit, ndërkohë edhe i dërguari i posaçëm e Sekretarit të Kombeve të Bashkuara Anan, zoti Kai Eide, ka kërkuar përparim në këtë fushë, pas vonesës së fillimit të zbatimit të pilot-projekteve. Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, ka shprehur gadishmërinë për realizim të shpejtë të projektit:
"Unë jam i gatshëm që nesër të filloj. Jam i gatshëm që në çdo kohë ta zbatoj vendimin e qeverisë, jam i përkushtuar që ta ruaj konsensusin e arritur në parlament dhe e kam obligim ligjor t’i përgjigjem kërkesës së parlamentit dhe kryesisë së parlamentit për zhvillimet e mëtejshme".
Tani i mbetet kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të caktojë një seancë, në të cilën do të diskutohej dokumenti i plotësuar i qeverisë së Kosovës për reformën e pushtetit lokal, në mënyrë që të mund të fillojë faza provuese e këtij procesi me pesë pilot-komuna, dy me shumicë shqiptare, dy me shumicë serbe dhe një me shumicë turke. Ministri Haziri tha se, përjashtuar pilot-projektet si fazë testuese, reforma e plotë nuk do të fillojë para vitit 2008 dhe kjo fazë përgatitore do t’i kushtojë qeverisë rreth 7 milionë euro.


XS
SM
MD
LG