Ndërlidhjet

PARLAMENTI I MAQEDONISË DISKUTON LIGJIN PËR PËRDORIMIN E SIMBOLEVE KOMBËTARE


Sefer Tahiri, Shkup

Grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka propozuar një amendament për ndryshimin e ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, me të cilin kërkon që shqiptarëve gjatë festave t'u mundësohet përdorimi i flamurit kombëtar, edhe në komunat ku ata janë më shumë se njëzet përqind, përkatësisht në komunat ku gjuha shqipe është zyrtare.
"Në komunat ku bashkësitë etnike nuk janë në shumicë, flamujt e tyre duhet të përdoren lirshëm para objekteve të bashkësive lokale, shkollave dhe shtëpive të kulturës", tha koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Rafit Haliti. Edhe deputeti i Partisë së Prosperitetit Demokratik Ismet Ramadani, theksoi se kjo parti angazhohet që shqiptarët ta përdorin flamurin e tyre, edhe në komunat në të cilat nuk janë shumicë.
"Duhet të përdoret flamuri kombëtar në institucione dhe organe të shtetit edhe atje ku shqiptarët janë mbi 20 përqind. Ne jemi të vetëdijshëm se identiteti kombëtar më së miri përcaktohet me flamuj dhe përdorim të gjuhës. Meqë jemi të bindur në këtë, atëhere do të bëjmë çmos me argumente t'i bindim edhe të tjerët që mendojnë ndryshe se kjo është zgjidhja më e mirë".
Ndërkaq Roza Topuzovska, deputete e Partisë Liberaldemokrate, parti e cila merr pjesë në qeveri tha se ligji për përdorimin e flamujve është i papranueshëm edhe për këtë parti.
"Nëse amendamentet tona miratohen, atëhere do ta mbështesim këtë propozim-ligj, në të kundërtën do të abstenojmë gjatë votimit," tha deputetja Topuzovska.
Kjo parti kërkon që në vendet ku do të përdoren flamujt, të dallohet flamuri shtetëror nga ai bashkësive etnike për nga madhësia dhe kërkon që ai të jetë i vendosur në një shtizë më të lartë.
Ndërkohë për partitë opozitare maqedonase, propozimi qeveritar është kundërkushtetues dhe cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë.
"Flamuri shtetëtor i Shqipërisë nuk mund të jetë flamur kombëtar i bashkësisë etnike shqiptare në Maqedoni", tha deputeti i VMRO-së popullore, Mihail Georgievski.
Në mbrojtje të plotë të këtij ligji ka dalë Lidhja Socialdemokrate, edhe pse dy deputetë të saj Tito Petkovski dhe Slavica Stankovska, janë deklaruar kundër tij.
"Grupi parlamentar i LSDM-së është unik dhe mbështet propozimin e qeverisë. Deputetët që përmenden si kritikues të ligjit nuk morën pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar, në të cilin u debatua rreth këtij ligji", tha koordinatori i grupit parlamentar të Social Demokratëve, Jani Makraduli.



XS
SM
MD
LG