Ndërlidhjet

AGJENCIONI I KOSOVËS PËR PRODUKTE MEDICINALE VË ALARMIN PËR PËRDORIMIN E TETRAGLUBULINËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Futja e barërave pa leje në tregun kosovar, jo vetëm se është i kundërligjshëm, por mund të sjellë dhe pasoja të paparashikueshme për shëndetin e popullatës. Rasti i fundit, i cili është zbuluar nga inspektorët e Agjensionit të Kosovës për Produkte Medicinale, është futja në qarkullim i Imunoglubulinit Human Antitetanikum, apo i njohur në treg si Tetraglubulin, thotë Adnan Bozaliu, drejtori i këtij agjencioni. Ai thekson se dyshohet prejardhja dhe përbërja e këtij produki medicinal, ndërkohë që ky bar tashmë gjendet nëpër institucionet publike dhe private shëndetësore.
"Ne kemi lajmëruar që të gjitha institucionet publike dhe private shëndetësore, pra mjekët, të mos bëjnë përshkrimin e atij bari, për shkak se është bar i dyshimtë dhe mesiguri përmbajtja e saj nuk është e saktë siç është e deklaruar. Dyshohet që të jetë një bar tjetër me një përqindje tjetër. Gjithashtu kemi lajmëruar të gjitha farmacitë në Kosovë që të mos e japin këtë bar asnjë qytetari apo pacienti, si dhe pacientët të kenë kujdes gjatë trajtimit nga ana e punonjësve shëndetësorë me atë lloj produkti medicinal. Pra në këtë rast me produktin Tetraglubulin, që është një bar i cili bën imunizimin kundër tetanusit, është një bar shumë i rrezikshëm."
Futja në tregun kosovar e barërave pa leje dhe me prejardhje të dyshimtë, është duke ndodhur në vazhdimësi, thotë zoti Bozaliu, duke shtuar se deri tani janë zbuluar disa produkte të tilla dhe rastet e tilla, i janë paraqitur njësitit për krime ekonomike të Shërbimit Policor të Kosovës.
"Mund të them se ka patur keqpërdorime me barëra të ndryshme me emrin tregtar Andol apo Acid acitrik apo preparate hormonale Gesthormone, që merren gjatë shtatzanisë për mbajtjen e shtatzanisë. Ka preparate të prodhuesve, të cilat nuk gjenden në asnjë vend të botës. Fatkeqësia më e madhe për momentin është në Kosovë, për shkak se në shumicën e rasteve janë duke u përfshirë punëtorët shëndetësorë profesionalë, përfshirë këtu mjekët, farmacistët".
Zoti Bozaliu thekson se ka mjaft raste kur janë gjetur barëra me përbërje, prejardhje, por edhe afat skadimi të falsifikuar, dhe se nevojitet bashkëpunim dhe koordinim i të gjitha institucioneve qeveritare për parandalimin dhe luftimin e këtyre, siç e quan ai, dukurive kriminale.
Institucionet janë ato që duhet të luftojnë këtë, pasi krimi nuk ka as parti as fe. Ata mundohen vetëm të përfitojnë për përfitime të tyre personale. Por është problemi tjetër: të ngrihet vetëdijësimi i qytetarëve apo vetëdijësimi i punëtorëve shëndetësorë në Kosovë njëherë e përgjithmonë. E kuptoj nëse një individ është i përfshirë në një krim, por nuk mundem të kuptoj një punëtor shëndetësor, një intelektual, që për përfitime të veta bën dëm në shëndetin e qytetarit tjetër", përfundon zoti Bozaliu.

XS
SM
MD
LG