Ndërlidhjet

NDËRKOMBËTARËT KËMBËNGULIN NË DËMIN E SHËRBIMEVE PARTIAKE TË ZBULIMIT, PARTITË KUNDËRSHTOJNË EGZISTENCËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dy partitë më të madhe politike të Kosovës kanë mohuar se kanë shërbime të kundërzbulimit, por nuk kanë mohuar se shërbimet e tilla egzistojnë në Kosovë. Dy partitë më të mëdha politike të Kosovës i kanë bërë këto komente, duke reaguar ndaj pohimeve të Mariane Trits, anëtare e të gjelbërve të Gjermanisë, të bëra në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, se është e papranueshme që partitë politike kanë shërbime të kundërzbulimit dhe në këtë mënyrë po e kontrollojnë jetën politike në Kosovë. Lulzim Zeneli, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se strukturat e tilla janë në kundërshtim me politikën e kësaj partie:
"Ajo që mund të thuhet për LDK është se asnjëherë në veprimtarinë e saj 15 vjeçare, në vetë strukturat e saj, nuk kanë vepruar as veprojnë shërbimet e tilla që janë në kundërshtim me politikat dhe me programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës",tha zëdhënësi i LDK-së, Lulzim Zeneli, ndërkohë që Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike në opozitë ,nuk mohon egzistimin e shërbimeve informative, por ato, sipas tij nuk janë në shërbim të PDK-së:
"Mendoj se PDK nuk ka shërbim informativ. Në Kosovë ka shërbime informative ilegale dhe është një shërbim informativ legal që ka ekzistuar gjatë dhe pas luftës në ksoovë, por ai nuk është shërbim i PDK-së, por i Kosovës. Ndërkohë shërbimet e tjera mendoj se nuk egzistojnë me emra, por janë ilegalë apo gjysmë ilegalë".
Mirëpo, Aleks Anderson, shef i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, organizatë kjo e njohur me shkurtesën ICG, pohon të kundërtën, dhe e quan të dëmshëm egzistimin e strukturave të tilla:
"Partitë kryesore politike kanë forma të ndryshme të shërbimeve të kundërzbulimit apo të nëntokës dhe kjo e dëmton politikën në Kosovë, duke e bërë atë një arenë të luftës për kontrollin e burimeve dhe të të ardhurave," tha Anderson. Ai thotë se shërbimet e tilla, megjithatë influencojnë mbi zhvillimet politike:
"Kjo e zhvendos politikën si një perandori të betejës së ideve në planin e dytë," tha Anderson, i cili për egzistimin e shërbimeve të tilla ka pohuar disa herë, përfshirë edhe raportin e fundit “Kosova pas Haradinajt”, ku ka përmendur Lidhjen Demokratike dhe Partinë Demokratike, si parti që kanë shërbime të tilla. Anderson ka thënë se strukturat e tilla e pengojnë zhvillimin e një politike të orientuar drejt zhvillimit, ndërkohë që sipas tij, kjo është një shenjë se bashkësia ndërkombëtare do të duhet të përballet me faktin e krijimit të një njësie funksionale shtetërore në Kosovë. Mirëpo, strukturat e tilla dhe mënyra e tillë e veprimit në politikë, do të kenë sipas zotit Anderson, një efekt përjashtues për mundësinë që Kosova të jetë e aftë për të qenë e qëndrueshme si shtet dhe të jetë në gjendje të ofrojë kushte të qëndrueshme të integrimit edhe për pakicat.
Dy partitë më të mëdha, javët e fundit kanë shkëmbyer shumë akuza ndaj njëra-tjetrës për egzistimin e strukturave ilegale të sigurisë, ndërkohë që një dosje e Partisë Demokratike, aktualisht po hetohet nga policia, mirëpo zyrtarët e UNMIK-ut nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.




XS
SM
MD
LG