Ndërlidhjet

logo-print

BARBASSO: DO JEMI MË RIGOROZË NDAJ VENDEVE QË DUAN TË INTEGROHEN NË BE


Fabrizio Barbasso, drejtor i Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Evropian

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se Komisioni Evropian do të vështrojë për së afërmi përmbushjen e standardeve në Kosovë. Si i vlerësoni arritjet e deritanishme?

FABRIZIO BARBASSO
Siç e dini janë dy vlerësime se çfarë ka bërë dhe po bën Kosova sa i përket reformave. Njëri është vlerësimi i standardeve, që do të bëhet nga ambasadori Eide dhe tjetri është përgatitja e raportit të rregullt të Komisionit, i cili po ashtu do ta freskojë vlerësimin tonë.
Puna është në përparim e sipër dhe është vështirë për mua që të bëj vlerësime tani. Në të vërtetë ka pasur arritje pozitive, por ende ka fusha ku duhet të vazhdojë zbatimi i standardeve. Për ne standardet nuk duhet të arrihen vetëm njëherë. Kjo është një punë që vazhdon, që nënkupton se standardet duhet të përmbushen tërë kohën, pra është një objektiv afatmesëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Decentralizimi është përmendur si një proces që duhet patjetër të zbatohet nga vendet e rajonit. Sa do të jetë ky proces i suksesshëm në Kosovë duke marrë parasysh statusin e saj të pazgjidhur?

FABRIZIO BARBASSO
Duhet të jetë i suksesshëm. Deri tani kemi përvojën e suksesshme në ish Republikën jugosllave të Maqedonisë.
Nuk ka qenë e lehtë, por tani zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit po ec me hapa pozitivë.
Kështu që unë nuk shoh ndonjë arsye pse në Kosovë nuk do të mund të zbatohej. Ne i dimë vështirësitë politike, megjithatë jemi të gatshëm të ofrojmë përkrahjen tonë.
Dhe në të vërtetë unë mendoj se kjo është një pikë referimi ku Kosova mund të tregojë se po punon seriozisht drejt demokratizimit të plotë dhe drejt shoqërisë multietnike. Kështu që decentralizimi është shumë i rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova synon integrimin në Bashkimin Evropian. Por, sa do të ndikojë refuzimi i fundit i referendumeve në zgjerimin e BE-së, me vendet e rajonit?

FABRIZIO BARBASSO
Bashkimi Evropian e ka përsëritur përkushtimin se do t’i hapë dyert për vendet e rajonit përfshirë edhe Kosovën Dhe natyrisht si rrjedhojë e referendumit të fundit, ne duhet të jemi shumë më vigjilentë, madje edhe më rigorozë dhe të rreptë në zbatimin e standardeve, rregullave dhe kritereve të Bashkimit Evropian. Kështu që Kosova do t’i bashkohet Bashkimit Evropian, kur standardet e saj të jenë në përputhje të plotë me kriteret e Kopenhagës, kritere këto që lidhen edhe me procesin e Asociim-Stabilizimit. Natyrisht ne duhet të fillojmë me standardet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është Kosova afër përmbushjes së kritereve të Kopenhagës?

FABRIZIO BARBASSO
Do të marrë pak kohë, nuk është me rendësi që të shpejtohet me hapa të ndryshëm. Ajo që është më e rëndësishme është që të shkohet në rrugë të drejtë. Pastaj gjërat e tjera do të pasojnë. Por, vendi duhet të jetë i aftë që të demonstrojë gadishmërinë e tij për të aplikuar demokracinë në tërë territorin. Kjo është pika fillestare, dhe pastaj do të pasojë tërë zbatimi i kritereve.

Intervistoi: Albana Isufi







XS
SM
MD
LG