Ndërlidhjet

MITROVICA- NË VENDIN E PARË ME BANESA TË UZURPUARA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shqiptarët dhe serbët në qytetin e Mitrovicës dhe në këtë rajon, janë në pozitë përafërsisht të barabartë, sa i përket uzurpimit të banesave. Përderisa serbët kanë uzurpuar 1000 banesa të shqiptarëve në pjesën veriore, shqiptarët kanë uzurpuar 600 banesa të serbëve në jug dhe më shumë se 300 të tjera në qytezat e Skënderajt dhe të Vushtrrisë, thotë James Nunan, shef i drejtorisë për çështje pronësore-banesore në Mitrovicë, që vepron në kuadër të HABITAT-it, themeluar tre vjet më parë.
Shqiptarët dhe serbët nga ana tjetër thonë se me dëshirë do të jetonin në shtëpitë e tyre, por mungesa e sigurisë së mjaftueshme në secilën nga pjesët e këtij qyteti, nuk ua ofron këtë mundësi. Kështu, shqiptarët që kanë banesat në veri, aktualisht jetojnë me qira, apo në banesa të uzurpuara të serbëve në jug, ndërsa serbët që kanë pasur banesat në jug, aktualisht jetojnë po ashtu me qira, apo në banesat e uzurpuara të shqiptarëve në veri. Shefi i zyrës së drejtorisë për çështje pronësore-banesore, James Nunan thotë:
"Vetëm në komunën e Mitrovicës, në veri janë të uzurpuara rreth 1000 banesa nga serbët, ndërsa sa i përket pjesës jugore, janë 600 banesa të uzurpuara, por konkretisht, numri i banesave të uzurpuara në jug dhe në veri është identik," tha James Nunan. Ai thotë se situata është e vështirë për t’u zgjidhur:
"Në veri situata është e tillë që 95 për qind e banesave janë uzurpuar nga personat që më herët kanë jetuar në Kosovë dhe tani janë të zhvendosur, ndërkohë që edhe shqiptarët në jug janë në kushte të vështira humanitare," tha Nunan, duke shpjeguar se të gjitha banesat e uzurpuara janë identifikuar nga HABITAT-i dhe njerëzit aktualisht jetojnë në to me leje të HABITAT-it.
Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë Enver Peci, deri më 1999 ka jetuar në pjesën veriore të Mitrovicës, por menjëherë pas luftës është detyruar të jetojë në jug, pasi shtëpia në veri i është djegur:
"Unë jetoj bashkë me nënën, gruan dhe me dy fëmijë në një banesë që ma kanë lëshuar miqtë, familja e gruas, deri sa unë të gjej strehim".
Edhe, Stefan Cvijiq, i cili ka jetuar në pjesën jugore është në situatë të njëjtë, pasi i duhet të paguajë qira në veri, ndërkohë që nuk mund ta shfrytëzojë shtëpinë e tij në jug:
"Atje e kam kaluar gjithë fëmijërinë, duke u shoqëruar me shqiptarët. Kemi luajtur bashkë, kemi shkuar tek njëri-tjetri dhe jemi ushqyer bashkë, ndërsa tani më duhet të jetoj në shtëpi të huaj," tha Stefan Cvijiq, i cili thotë se jeton në kushte tepër të vështira dhe mezi mund të sigurojë ushqimin dhe pagesën e qirasë.
Ndërkohë, një zgjidhje e shpejtë e problemit nuk mund të pritet, pasi, sipas qytetarëve mungojnë kushtet e mjaftueshme të sigurisë. Deri atëherë, 1000 banesat e shqiptarëve në veri dhe gati po aq banesa të serbëve në pjesën tjetër, do të mbajnë banorë që nuk janë pronarë të vërtetë të shtëpive.

XS
SM
MD
LG