Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS DISKUTOI PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Sa më e lartë që të jetë shkalla e zbatimit të standardeve, aq më e lartë do të jetë shkalla e demokracisë në Kosovë, ka thënë sot kryeministri Bajram Kosumi, në ekspozenë e tij para Kuvendit, në lidhje me zbatimin e standardeve. Duke plotësuar standardet, ne krijojmë institucione stabile dhe shtetin e Kosovës, tha Kosumi. Në periudhën e fundit gjashtë mujore, Kosumi tha se janë arritur rezultate, sidomos në standardet e përcaktuara si prioritare. Ai tha se në asnjë prej standardeve me prioritet nuk ka ngecje të tërësishme, dhe se të gjitha janë në rrugë të plotësimit. Kurse si sfida të procesit, Kosumi përmendi dhe obstruksionet e Beogradit, që i bën përmes disa qarqeve të themeluara nga një pjesë e pakicës serbe në Kosovë. Sidoqoftë, shtoi Kosumi, pozita e pakicës serbe është përmirësuar dukshëm, e cila përcaktohet kryesisht me standardet prioritare:
“Janë arritur rezultate shumë të mira në zbatimin e standardeve, posaçërisht atyre prioritare. Nga 67 standarde prioritare, gjysma e tyre janë plotësuar tërësisht, kurse të gjitha standardet e tjera janë në fazën përfundimtare të përmbushjes. Në standardet prioritare asnjë pikë nuk është me ngjyrë të kuqe. Të gjitha pikat e standardeve prioritare janë me ngjyrë ose të verdhë ose të gjelbërt, që do të thotë se është duke u punuar, ose është përfunduar puna në to”, theksoi Kosumi.
Me plotësimin e standardeve të domosdoshme për zgjidhjen e statusit të Kosovës, standardet për Kosovën do të shndërrohen në standarde për integrime evropiane, theksoi kryeministri i Kosovës, sipas të cilit , qeveria e tij po punon që plani "Standardet për Kosovën" të kthehet në "Standardet drejt Evropës". Ndërkohë në debatin në Kuvend, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, tha se zbatimi i standardeve do të mundësojë një jetë më të mirë për të gjithë në Kosovë dhe krijimin e të gjitha kushteve për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
“Është koha për plotësimin e kërkesës, që në emër të qytetarëve të Kosovës me elokuencë të posaçme e shtron president Rugova, duke theksuar se është koha për njohje të pavarësisë së Kosovës, është koha që Kosova të bëhet shtet”, pohoi Gashi.
Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kosova i ka përmbushur qysh moti standardet për shtetin e pavarur. Krasniqi tha me këtë rast, se përparimi në standarde, daton që nga qeveria e kaluar e Bajram Rexhepit, por ky përparim sipas tij, ka shënuar rënie pas formimit të qeverisë së re që drejtohet nga kryeministri Kosumi, e cila sipas Krasniqit është duke u dëshmuar qeverisje që shkel ligjet egzistuese:
“Që gjashtë muaj në Kosovë nuk ka sundim të ligjit. Ka sundim të qeveritarëve që thonë, ligji jemi ne. Në kryeministri e ministri nuk punohet, atje bëhet diferencimi mbi baza partiake, që kanë një kontinuitet të viteve të ‘80-ta”, theksoi Krasniqi.
Një mendim tjetër nga Jakup Krasniqi ka shprehur shefja e Grupit parlamentar të AAK-së, Gjylnaze Syla, e cila tha se procesi i standardeve mori kahjen e duhur gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, kthesë kjo që sipas saj, po vazhdon edhe tani në qeverinë Kosumi:
“Zoti Ramush Hardinaj politikën e standardeve para statusit, e ktheu në strategjinë politike për Kosovën. Ai u përqëndrua në mënyrë këmbëngulëse në standardet prioritare, por nuk i harroi edhe standardet e tjera. Kështu na bëri të gjithëve të kuptojmë që standardet nuk duhet t’i refuzojmë, ose t’i përjetojmë si të të padëshirueshme, por përkundrazi, t’i mbështesim”, tha Syla.
Standardet do të ndikojnë drejtpërdrejtë dhe në procesin e vendimit në lidhje me statusin e Kosovës, tha në anën tjetër, kryetari i partisë politike “Ora”, Veton Surroi. Edhe Surroi përveç vlerësimit të tij për arritjen e një përparimi të dukshëm, tha se në institucionet e Kosovës po instalohen shumë dukuri që do të mund t’i kushtojnë shumë të ardhmes së Kosovës:
“Fenomeni i parë negativ është keq-menaxhimi i parasë publike. Fenomeni i dytë është një lloj tolerance, e cila po krijohet në shoqërinë tonë ndaj korrupsionit dhe kjo toleracë ka rrezik që në këtë fazë të bëhet institucionalizim i korrupsionit. Dhe, çështja e tretë, e cila nuk u përmend këtu, janë strukturat paralele të sigurisë. Nuk egzistojnë vetëm struktura paralele serbe, nuk egziston vetëm “MUP”-i i Serbisë dhe shërbimet e veta sekrete këtu në Kosovë, por egzistojnë edhe shërbime sekrete partiake, që në masë të madhe ndikojnë në jetën politike në Kosovë”, tha Surroi.
Me qëllim të vlerësimit të zbatimit të standardeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, ka caktuar tashmë të dërguarin e tij në Kosovë ambasadorin Kai Eide, i cili do të bëjë këtë vlerësim për t’ia paraqitur më pas Këshillit të Sigurimit. Vlerësimi pozitiv i standardeve, sipas paralajmërimeve tashmë zyrtare, do t’i hapte rrugën procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG