Ndërlidhjet

POZITA DHE OPOZITA ME QËNDRIME TË KUNDËRTA RRETH TË ARRITURAVE TË KUVENDIT NË GJASHTËMUJORIN E PARË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Rezultatet e punës gjatë gjashtëmujorit të parë të Kuvendit të Kosovës, vlerësohen në mënyra të ndryshme nga deputetët e pozitës dhe ata të opozitës. Ndërsa deputetët nga partitë në koalicionin qeveritar mendojnë se Kuvendi në masë të konsiderueshme e ka përmbushur agjendën e vet të punës, ata të opozitës mendojnë se Kuvendi ka arritur rezultate minimale.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, thotë se ka rezultate, edhe pse ato mund të jenë edhe më të mira në të ardhmen:
“Natyrisht që statistikat mund të jenë edhe më të mira. Shpresoj që pas pushimeve, Kryesia e Kuvendit do t’i ketë parasysh edhe më shumë kërkesat e grupeve parlamentare si për debat, ashtu edhe për prioritetet e miratimit të ligjeve”, tha Gashi.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, mendon se Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e fundit, ka treguar rezultate shumë të vogla. Sipas Krasniqit Kuvendi ka qëndruar indiferent edhe ndaj zhvillimeve të rëndësishme në Kosovë, si dhe nuk e ka luajtur funksionin që e ka si institucioni më i lartë:
“Me ndonjë përjashtim në kohën e fundit, gjatë gjithë kësaj periudhe legjislativi nuk e ka kryer detyrën dhe obligimin e vet. Sidomos nuk ka qenë organ që e kontrollon egzekutivin, do të thotë më tepër ka qenë një servis dhe më tepër ka qenë një organ i egzekutivit”, vlerësoi Krasniqi.
Po në lidhje me punën e Kuvendit në gjashtëmujorin e parë, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Gjylnaze Syla, mendon se rezultate ka, por ajo preferon që legjislativi të mos i shfrytëzojë fare pushimet verore dhe të vazhdojë me agjendën e punës:
“Për mua është shumë inkurajuese vendimi i drejtë i qeverisë që të punohet gjatë verës, që automatikisht do të thotë se edhe Kuvendi do të ketë punë gjatë verës dhe nuk ma merr mendja që do të ketë pushime për qeveritarët e as për deputetët”, theksoi Syla.
Ndërsa përbërja e parë e Kuvendit të Kosovës mbante seanca javore, legjislativi aktual mblidhet një herë në muaj, dhe punën e zhvillon në sesione. Lidhur me këtë, Gjylnaze Syla thotë se sipas nevojës, kjo praktikë mund të mos aplikohet rregullisht dhe Kuvendi të mblidhet edhe më shpesh:
“Është me rëndësi që të trajtohen dhe debatohen tema që janë shumë të rëndësishme për qytetarët, të cilat prekin jetën e tyre dhe të cilat në bazë të debatit në parlament arrijnë që të përmirësojnë jetën e tyre”, pohoi Gjylnaze Syla.
Po ashtu, edhe Alush Gashi nga LDK-ja, vlerëson se faza tjetër e punës pas pushimeve verore, duhet të sjellë dinamikë, në mënyrë që Kuvendi të mblidhet të paktën dy herë në muaj:
“Rregullorja neve nuk na e kufizon dhe mendoj se është një ndërgjegjësim i përgjithshëm që Kuvendi është vendi i debatit dhe unë shpresoj që në Kuvendin e Kosovës do të ketë më tepër se një apo dy seanca në muaj”, tha Gashi.
Në anën tjetër, Jakup Krasniqi nga subjekti më i madh opozitar, thotë se praktika e tashme e sesioneve njëmujore, është kundërshtuar që në fillim nga PDK-ja. Ai mendon se Kuvendi duhet të mblidhet sa herë që të ketë nevojë:
“Me seanca mujore, parlamenti nuk mund t’i kryejë detyrat e veta dhe vetë angazhimi i deputetëve nuk është në nivelin e duhur. Nëse bëhen seanca javore, unë mendoj atëherë se edhe angazhimi i deputetëve, edhe çështjet që do të debatoheshin, do të ishin më të shpeshta dhe më serioze”, theksoi Krasniqi.
Qëllimi kryesor në agjendën e punës së Kuvendit së Kosovës për gjashtëmujorin e parë ka qenë miratimi i ligjeve. Fillimisht është thënë se pritjet kanë qenë për miratimin e rreth 100 ligjeve, mirëpo bazuar në mendime e shprehura nga deputetët, del se ky qëllim është përmbushur mesatarisht.

XS
SM
MD
LG