Ndërlidhjet

LISTA SERBE PËR KOSOVËN DHE METOHINË RREZIKON SHPËRBËRJEN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nëse Beogradi nuk e mbështet hyrjen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në institucionet vendore, atëherë mund të ndodhë përçarja ndërmjet serbëve dhe shkatërrimi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, tha sot për Evropën e Lirë, kryesuesi i kësaj liste, Oliver Ivanoviq, sipas të cilit, një shpërbërje e listës do të kishte pasoja katastrofike. Zoti Ivanoviq tha sot se Lista serbe do ta marrë vetë vendimin lidhur me hyrjen në Kuvend dhe në qeveri, por ndikim për këtë do të ketë edhe qëndrimi i Beogradit zyrtar:
"Lista serbe do ta marrë vetë vendimin, e përkrahu apo jo Beogradi. Nëse Beogradi do ta përkrahë hyrjen tonë në institucione, atëherë vendimi ynë është i qartë, e në të kundërtën, atëherë kam frikë se do të shkaktohen polarizime dhe ndarje në Listën serbe," tha Ivanoviq.
Megjithatë, në Listën serbe që e përbëjnë përfaqësuesit e degëve të partive kryesore politike të serbisë, ndarjet edhe ashtu egzistojnë. Përderisa një pjesë e tyre presin vendimin e Beogradit zyrtar, të tjerët mendojnë se Lista Serbe duhet të marrë vetë vendim për këtë çështje.
Goran Bogdanoviq, anëtar i Listës mendon se qëndrimi i Beogradit është vendimtar:
"Lista Serbe para së gjithash duhet ta presë vendimin e Beogradit zyrtar dhe çfarëdo që të jetë ai vendim, Lista duhet të sillet sipas atij vendimi," tha Bogdanoviq.
Ky është momenti i duhur që Lista Serbe të vendosë përfundimisht nëse do të hyjë apo jo në institucione, tha ndërkaq, Dragisha Kërstoviq, sipas të cilit Lista serbe duhet t’i japë fund kësaj agonie disamuajshe që të hyjë apo jo në institucionet e Kosovës. Kërstoviq tha se ka disa paralajmërime se javën e ardhshme Beogradi do të ketë një qëndrim për këtë që sërish mund të jetë negativ.
"Disa politikanë në Serbi thonë se vendimi Listës serbe për të hyrë në institucione do të ishte joserioz. Unë do të thosha se ata janë joseriozë dhe mbajnë qëndrime joserioze për këtë çështje," tha Kërstoviq, sipas të cilit ka ardhur tashmë koha që këtë ta bëjë vetë Lista dhe të marrë vendim për të hyrë në institucione.
Bogdanoviq ndërkaq, shpjegon se përkrahja e Beogradit është e domosdoshme, pasi liderët e serbëve nuk kanë kredibilitet, meqë bashkësia serbe në Kosovë ka bojkotuar zgjedhjet:
"Nëse duam zgjidhje të problemit në Kosovë, mendoj se përfaqësuesit e bashkësisë serbe që do t’i përfaqësonin serbët në institucionet, para së gjithash duhet ta kenë mbështetjen e Beogradit dhe të popullit serb në Kosovë," tha Bogdanoviq.
Mirëpo, Kërstoviq vlerëson se bojkotimi i mëtejshëm i institucioneve do të jetë kundërproduktiv:
"Unë që nga fillimi jam për të hyrë në institucione. Nëse duam të bëjmë diçka për pozitën e serbëve në Kosovë, këtë mund ta bëjmë vetëm në institucione," tha Kërstoviq, për të cilin gjithçka tjetër është kundërproduktive.
Bartësi i kësaj liste, Oliver Ivanoviq tërheq vërejtjen për faktin se çfarëdo ndarjeje ndërmjet serbëve do të ketë pasoja katastrofike, pasi disa do të hyjnë, disa nuk do të hyjnë e disa të tjerë do t’i kthejnë mandatet e tyre:
"Kjo do të thotë se do të kemi përçarje të vërtetë ndërmjet serbëve dhe përfundimisht humbet i vetmi entitet që mund të bëjë diçka serioze në këtë situatë," tha Ivanoviq.
Lista Serbe për Kosovën e Metohinë nuk ka shfrytëzuar ende tetë vende të rezervuara për ta në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë që një post ministror për këtë subjekt politik është rezervuar edhe në qeverinë e Kosovës.



XS
SM
MD
LG