Ndërlidhjet

logo-print

DE KERSABIEC: TRUPAT E KFOR-IT NUK DO TË SHTOHEN GJATË BISEDIMEVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Fillimi i bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës, që pritet të ndodhë gjatë vjeshtës, sipas zyrtarëve të KFOR-it nuk do të ndikojë në situatën e sigurisë. Rrjedhimisht KFOR-i nuk planifikon që të shtojë apo zvogëlojë trupa gjatë 2005-ës. Shefi për informim i KFOR-it koloneli Charles De Kersabiec, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë është e qartë se këtë vit nuk do të ketë kurrfarë ndryshimesh në KFOR.
“Viti 2005 nuk ka nevojë as për përforcime dhe as për zvogëlime të trupave. Komandanti i KFOR-it e ka bërë shumë të qartë se do ta mbajmë këtë nivel të trupave gjatë tërë vitit, ai do të ketë përkrahjen e zyrtarëve të NATO-së dhe nuk ka plane për përforcime për këtë vit”, tha De Kersabiec, duke e quajtur 2005-ën si një vit të rëndësishëm për Kosovën.
Megjithatë, koloneli De Kersabiec ka pohuar se NATO do të dërgojë përforcime, kurrdo që një gjë e tillë të kërkohet nga komandanti i KFOR-it.
“KFOR-i dhe komandanti i saj mund të kërkojnë nga NATO në çdo moment përforcime dhe shtetet do të kontribuojnë me trupa nëse ka probleme. Por, nuk ka indikacione për probleme dhe nuk është një situatë e tillë që të duhen përforcime," tha De Kersabiec, duke shtuar se indikacionet flasin për një ambjent të qetë gjatë bisedimeve.
“Ne shpresojmë se gjatë kësaj kohe do të ketë qetësi, pasi mendojmë se situata e sigurisë do të jetë e qëndrueshme dhe do të ketë bisedime dhe diskutime të mira pa ndonjë shkallëzim dhune,” tha shefi për informim i KFOR-it De Kersabiec.
Sido që të jetë koloneli De Kersabiec, thotë se KFOR-i është i gatshëm që me trupat aktualë në Kosovë, të menaxhojë çdo shkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë.
“ Në rast të problemeve trupat tanë që janë brenda në Kosovë mund të lëvizin nga vende të ndryshme në vendin ku ka probleme në një kohë shumë të shkurtër, dhe ne këtë e kemi quajtur strategji lëvizëse”, tha koloneli De Kersabiec.
Në Kosovë aktualisht janë të dislokuara mbi 17 mijë trupa të KFOR-it. NATO me kërkesën e KFOR-it dërgon përforcime të herëpashershme, siç ndodhi me rastin e trazirave të marsit të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG