Ndërlidhjet

logo-print

VJEDHJA E MBI 14 MIJË ÇERTIFIKATAVE RREZIKON NDERSHMËRINË E ZGJEDHJEVE TË 3 KORRIKUT


Alma Çupi, Tiranë

Në Shqipëri janë vjedhur nga njësitë vendore mbi 14 000 çertifikata me qëllim përdorimin e tyre më 3 korrik, ditën kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Këtë shqetësim e ka ngritur sot kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, i cili bëri apel për mospërdorimin e tyre pasi ato janë lehtësisht të verifikueshme dhe përdoruesi do të dënohet sipas ligjit nga gjobë deri në tre vjet burg.
"Përdorimi i çertifikatave në mënyrë abuzive nga votues apo edhe në bashkëpunim me komisionin qëndror të votimit, do të jetë një veprim i cili do të lerë gjurmë dhe prova të qarta dhe personat përgjegjës do të kenë sanksione penale ndaj kësaj çështjeje."
Celibashi tha se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka dërguar pranë komisioneve zonale të zgjedhjeve dhe komisioneve të qendrave të votimit, numrat dhe kodet e këtyre çertifikatave.
"KQZ-ja u ka dërguar ose më mirë të themi do t'u dërgojë komisioneve të qëndrave të votimit dhe komisioneve të zonave zgjedhore, të gjithë informacionet që lidhen me çertifikata e vjedhura nga disa organe të qeverisjes vendore. Janë rreth 14 867 çertifikata."
Përfaqësuesi i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Ilirian Muka, në mbledhjen e sotme në KQZ, akuzoi Partinë Socialiste si përgjegjëse për shpërndarjen e këtyre çertifikatave, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Socialiste, u shpreh se përgjegjësia është e njësive vendore, të cilat në shumicën e rasteve janë të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, edhe drejtori i përgjithshëm i policisë Bajram Ibraj, ka bërë të ditur sot se hetimi për çertifikatat e vjedhura është shtrirë në shumë rrethe të Shqipërisë, në mënyrë që të merren masat që ato të mos përdoren në votime. Ndërkaq shpërndarja e materialeve zgjedhore do të nisë nesër dhe do të bëhet në masa të larta sigurie. Forca të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe të rendit, do të shoqërojnë transportimin e materialeve zgjedhore. Më shumë se gjysma e efektivave të policisë do të jenë të angazhuar drejt për së drejti, për mbarëvajtjen e votimeve të tre korrikut. Sipas krerëve të policisë shqiptare, 6 400 policë do të garantojnë paprekshmërinë e qendrave të votimit. Të gjithë punonjësit e policisë të angazhuar në proces, do të kenë shenja dalluese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.



XS
SM
MD
LG