Ndërlidhjet

logo-print

KOSUMI: ME SERBINË DUHET TË KETË EDHE TAKIME TË NIVELIT POLITIK, POR JO PËR STATUSIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Çfarëdo bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që paramendohen të realizohen në nivele të larta duhet të kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës. Kështu është thënë sot, pas një takimi prapa dyerve të mbyllura për media, të zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi dhe komisionit parlamentar për bashkëpunim dhe marrëdhënie me jashtë. Kryetari i këtij komisioni, Sabri Hamiti, tha se bisedimet e paralajmëruara në nivele të kryeministrave dhe presidentëve të dy vendeve, duhet të kalojnë paraprakisht në një shqyrtim në Kuvend, si institucioni më i lartë në Kosovë:
“Ne sot kemi dëgjuar pikëpamjet e kryeministrit për këto takime dhe kemi dhënë të gjitha vlerësimet tona dhe i përmbahemi programit të Kuvendit. Të gjitha takimet e tilla, në nivelin e vijave të trasha, duhet të paraqiten para Kuvendit”, tha Sabri Hamiti.
Në anën tjetër kryeministri Kosumi, tha se bisedimet me Beogradin, përfshirë këtu edhe ato tashmë të filluara në nivelin teknik, do të përfshijnë të gjitha problemet dhe interesat e dy vendeve, duke përjashtuar këtu vetëm bisedimet për statusin e Kosovës.
“Problemet egzistuese në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të diskutohen dhe të zgjidhen dhe duhet të ketë takime, jo vetëm këto që janë duke i bërë grupet teknike, por edhe të nivelit politik, për të inkurajuar rezultate të takimeve në nivelet teknike. E vetmja çështje që nuk duhet të bisedohet në mes të qeverisë së Kosovës ose të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë është çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, e cila është e drejtë demokratike e popullit të Kosovës”, tha kryeministri Kosumi.
Debati i sotëm në nivelin e komisionit parlamentar në lidhje me bisedimet me Serbinë, u tha se do të transferohet në një debat në Kuvendin e Kosovës. Kërkesa e vazhdueshme e disa prej grupeve parlamentare është që presidenti dhe kryeministri i Kosovës, para se të zhvillojnë bisedime në nivelet më të larta me Serbinë, t’i paraqesin platformat e tyre për këto bisedime para Kuvendit.




XS
SM
MD
LG