Ndërlidhjet

logo-print

BUSH: SAKRIFICAT NË IRAK IA VLEJNË


"Ju nuk duhet të humbni besimin te lufta në Irak. Ajo bëhet për të mirën tuaj". Me këto fjalë iu drejtua presidenti Bush ushtarëve dhe popullit amerikan.
"Në Irak kemi detyrë të vështirë e të rrezikshme. Ashtu si shumë amerikanë edhe unë e shoh dhunën dhe gjakderdhjen. Çdo pamje është e tmerrshme dhe vuajtja është e vërtetë. Dhe natyrisht që amerikanët tani janë në dilemë: A ia vleu kjo sakrificë? Po, ka vlerë jetike për sigurinë e vendit tonë në të ardhmen," deklaroi Bush. Presidenti amerikan e mbajti këtë fjalim ndërkohë që të gjitha sondazhet tregojnë se popullariteti i tij është në rënie. Sipas vëzhgimeve ka gjithnjë më pak mbështetje pas 2 vitesh luftë që ka sjellë 1 700 viktima mes trupave amerikane. Megjithatë Bush nuk pranoi të deklarojë një datë për tërheqjen e trupave.
"Strategjia jonë përmblidhet me dy fjalë: Kur të forcohet Iraku do të largohemi ne", deklaroi Bush.
Ky fjalim ka ngjallur reagime të ndryshme. Rangeen Dansfar Spanta, këshilltari personal i presidentit afgan Hamdi Karzai, deklaroi se prania amerikane nevojitet ende ne Irak.
"Një Irak demokratik është në të mirë të Afganistanit. Mundja e terrorizmit në Irak do të ndihmonte për të fituar ndaj terrorizmit edhe në Afganistan dhe anasjelltas," deklaron Spanta. Të njëjtin mendim me të ndajnë edhe përfaqësues të politikës në Azerbaxhan dhe Kirgizi. Por Spanta shton:
"Në Afganistan populli nuk është kundër prezencës së amerikanëve, sepse ata kanë mbërritur këtu sipas parimeve ndërkombëtare e më pas sipas marrëveshjeve dypalëshe. Populli afgan është pro kësaj pranie, që siç duket nuk është e i njëjti rast në Irak", thotë Spanta. Megjithatë Bush këmbëngul në strategjinë e tij për çrrënjosur terroristët dhe për trajnimin e forcave mbrojtëse irakene, deri sa të jenë në gjendje të marrin situatën nën kontroll. Presidenti pranoi se në Irak janë bërë pak progrese që nga marsi i vitit 2003, megjithatë ai shton:
"Terroristët irakianë dhe të huaj dështuan në përpjekjet e tyre për të transferuar sovranitetin. Nuk thyen dot forcat e koalicionit. Nuk nxitën dot një luftë civile. Nuk ndaluan dot zgjedhjet e lira. Nuk ndaluan dot formimin e qeverisë demokratike. Nuk penguan dot irakianët që u rreshtuan në radhët e policisë e të ushtrisë për të mbrojtur demokracinë e tyre të re", deklaroi Bush, sipas të cilit është më mirë nëse terroristët luftohen në Irak, se sa në Shtetet e Bashkuara.
"Ata po përpiqen të na trondisin vullnetin, ashtu si tentuan më 11 shtator. Do të dështojnë. Terroristët nuk e kuptojnë Amerikën. Amerikanët nuk mbrapsen përpara kërcënimeve dhe ne nuk do të lejojmë autobombat dhe vrasësit që të përcaktojnë të ardhmen tonë', u shpreh Bush. Sipas profesorit Allan Lichtman, fjalimi i presidentit ishte një reagim ndaj sondazheve që tregojnë uljen e popullaritetit.
"Bush ka nevojë të sigurojë popullin amerikan se ne po ndjekim rrugën e duhur në Irak, për të rritur popullaritetin", shprehet profesori Lichtman, sipas të cilit kjo është iniciativë shumë e vështirë. Shifrat e fundit tregojnë se grupimet anti-Bush janë shtuar me 40 përqind. Megjithatë sipas Lichtman, 58 përqind e njerëzve janë dakord se amerikanët duhet të qëndrojnë në Irak.
XS
SM
MD
LG