Ndërlidhjet

logo-print

EGZISTON LIDHJE E DREJTPËRDREJTË MES TRAFIKUT TË DROGËS DHE TERRORIZMIT


Intervistë me Thomas Pietschmann, hartues i raportit mbi drogat 2005

Prodhimi i drogës në gjithë botën nuk është rritur. Lajmin e mirë e konfirmon Thomas Pietschmann, kërkues në Zyrën e Kombeve të Bashkuara kundër Drogave dhe Krimit. Por sipas tij, situata është e ndryshme në zona të veçanta. Kështu sipas shifrave të vitit 2004 prodhimi i narkotikëve është shtuar në Afganistan. Megjithëse rritja nuk është shumë e ndjeshme, problemi atje është serioz. Pietschmann sqaron:
"Në vitin 2005 situata është përmirësuar në Afganistan. Ende nuk kemi të dhëna mbi prodhimet e mbjella në këtë zonë, por nga sa dimë është reduktuar sasia e zonave të mbjella me narkotikë", deklaron Pietschmann, sipas të cilit natyrisht ky është një lajm i mirë. Trafikantët afganë shfrytëzojnë kryesisht Azinë Qendrore për të kaluar tranzit drogat e tyre. Sipas studiuesit Pietschmann, kur kërkojnë rrugë kalimi për lëndët narotike, përdoren ende Pakistani dhe Irani:
"Përfundimisht Azia Qendrore është vendi që preferohet më shumë. Për fat të keq atje konsumatorët shtohen çdo ditë. Kam një lajm të mirë dhe një të keq. Lajmi i mirë është se atje nuk ka prodhim në masë. Por lajmi i keq natyrisht është se këto droga sigurohen nga Afganistani, prandaj vendasit nuk kanë nevojë të kultivojnë vetë", sqaron Pietschmann. Shumë vëzhgues ndërkombëtarë mendojnë se egziston një lidhje e fortë mes trafikut të lëndëve narkotike dhe terrorizmit në Afganistan. Studiuesi Pietschmann e pranon këtë teori:
"Prodhimi po shtohet në ato zona që qeveria e Kabulit nuk i kontrollon dot. Këto zona drejtohen nga njerëzit e luftës, ata përfitojnë edhe paratë e trafikut. Pra natyrisht që një pjesë e parave shkon në favor të grupeve terroriste. Ne do të informohemi më shumë mbi këtë linjë dhe do të ofrojmë shifra të sakta mbi këto miliona dollarë që ndajnë terroristët me njëri-tjetrin", sqaron Pietschmann. Një tjetër problem me këto droga, veçanërisht me ato që konsumohen me injektim, si heroina, është se kanë shtuar të prekurit me SIDA. Por ky raport nuk ofron ndonjë zgjidhje ndaj këtij problemi global. Vetë Pietschmann sqaron:
"Ne nuk jemi këtu për të gjetur zgjidhjet me shkopin magjik. Ka lidhje mes drogës dhe SIDA-s. Pra nëse ulet konsumi i drogës, atëherë kemi një politikë për të luftuar këtë fenomen. Ne analizojmë tregun e drogës, shtrirjen e tij. Edhe kjo është një politikë më vete", shprehet studiuesi.
Zyra kundër Drogave dhe Krimit nuk ofron rekomandime të gatshme, megjithatë sipas Pietschmann, e vetmja zgjidhje është ndihmë konkrete për fermerët që kultivojnë lëndë narkotike. Kështu ata nuk do të kenë më nevojë të prodhojnë drogë. Megjithatë Pietschmann përfundon: sa të egzistojë kërkesa nuk do të mungojë oferta.

XS
SM
MD
LG