Ndërlidhjet

PËRPARIMI I PAKICAVE I MUNDUR PËRMES INTEGRIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sipas vullnetit të popullit të saj dhe në pajtim me integrimet euroatlantike, ka deklaruar sot në Prishtinë Ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave dhe Grupeve Etnike në qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga. Ai i ka bërë këto komente sot në Prishtinë, pas takimeve që ka pasur me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Zoti Hajdinaga tha se synimi i të gjitha vendeve të rajonit është integrimi në Bashkimin Evropian, ndërkohë që sipas tij, shqiptarët e Malit të Zi kanë dëshmuar se përparimi i pakicave në shoqëritë ku jetojnë është i mundur përmes bashkëpunimit dhe integrimit:
"Ka një frymë të re në qeverinë e Malit të Zi dhe kërkesat e shqiptarëve, që kanë ditur dhe kanë treguar se rruga e vetme për të realizuar kërkesat, janë organet dhe institucionet legale dhe jo diçka tjetër. Nuk ka këtu dirigjime nga jashtë, por mënyra më e mirë është dora e bashkëpunimit dhe realizimi i asaj që e kemi marrë obligim nga qytetarët, në këtë rast nga votuesit".
Ministri shqiptar në qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga, tha se kjo ishte edhe porosia që kishte përcjellë në Kosovë, por një qëndrim të tillë e ka gjetur edhe në institucionet e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se synimet integruese në Bashkimin Evropian, do të zbehin rolin e kufijve dhe do të rritet bashkëpunimi në rajon:
"Në demokracitë që jemi duke i ndërtuar në rajon, mënyra më e mirë për të realizuar aspiratat e grupeve etnike në të gjithë vendet, është mënyra e bashkëpunimit, mënyra e integrimit të grupeve etnike në shoqërit,ë në të cilat jetojnë dhe natyrisht, ne bashkërisht jemi duke shkuar në rrugën kah BE dhe sa për kufijtë, të cilët për njëqind vjet kanë qenë pengesa më e madhe kombeve në rajon, do të zbehet roli i tyre dhe nuk do të ketë pengesa të komunikimit dhe të bashkëpunimit", tha kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, i cili duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se Forumi politik i Kosovës, është një organ që duhet të harmonizojë qëndrimet lidhur me statusin përfundimtar, ndërsa sa u përket grupeve punuese, qeveria, sipas kryeministrit Kosumi, do të propozojë koordinatorin për grupet e ekspertëve dhe do të jetë detyrë e partive politike dhe koordinatorit që t’i harmonizojnë qëndrimet, pastaj, për të gjetur emrat e duhur se kush do të jetë në ato grupe punuese.
Në anën tjetër, ministri në qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga, i cili është takuar sot edhe me kryeparlamentarin Nexhat Daci dhe me Ministrin e Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, dhe atë të arsimit, Agim Veliu, tha se Mali i Zi, shumë shpejt do të mund ta hapë një zyrë ndërlidhëse në Kosovë:
"Kemi premtuar se do të kemi një zyrë të komunikimit për Malin e Zi këtu në Prishtinë. Punohet në atë drejtim dhe unë besoj që me përkrahjen që e kemi, shpejt do ta hapim atë zyrë që do të jetë edhe një vend për bashkëpunim më të mirë dhe për informimin që mund ta kenë të dyja palët", tha ministri Gëzim Hajdinaga, sipas të cilit qëllimi kryesor i ardhjes së tij në Kosovë ishte që të sigurojë regjistrimin e studentëve shqiptarë nga Mali i Zi, në universitetet e Kosovës, për ç’ gjë ka kërkuar përkrahjen edhe nga ministri Agim Veliu.

XS
SM
MD
LG