Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA- NJË NGA PRIORITETET E PRESIDENCËS BRITANIKE NË BE-SË


Augustin Palokaj, Bruksel

Britania e Madhe edhe formalisht ka marrë sot kryesimin e rradhës të Bashkimit Evropian, në një kohë kur kjo e fundit po përballet me probleme të rënda dhe krizë në raporte me qytetarët, por edhe në raportet mes vendeve të saj anëtare. Diplomatët britanikë në Bruksel, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm Xhek Strou në Londër, kanë konfirmuar sot se gjatë presidencës së tyre do t'i kushtojnë një kohë pune të madhe edhe Kosovës dhe procesit për zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar. Duke prezantuar prioritetet e Britanisë së madhe në aspektet e politikës së jashtme dhe të zgjerimit, ministri Strou, i cili do të kryesojë për gjashtë muaj Këshillin e Ministrave të BE-së, citohet të ketë thënë se Ballkani perëndimor, në të cilin Kosova është një pjesë kyçe, është prioritet shumë i lartë i BE-së dhe për ne. Strou ka thënë se edhe në një takim që ka patur këto ditë me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Havier Solanën, një pjesë e madhe e bisedimeve të tyre i janë kushtuar pikërisht Kosovës. Kosova ka qenë prioriteti ynë tash e një kohë të gjatë, e jo vetëm pas problemeve që lindën në Kosovë para 14 muajsh, për të shtuar se me interes pritet raporti për vlerësimin e përmbushjes së standardeve, pas së cilave duhet të merren edhe vendimet. Zyrtarët britanikë kanë pohuar se rreth Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me Havier Solanën dhe kanë përsëritur se Britania e Madhe i jep prioritet të lartë Kosovës.
Në një konferencë të hershme për shtyp, ministri Xhek Strou, duke mosdashur të paraqesë mendimet e tij private rreth statusit përfundimtar të Kosovës, kishte thënë se i premton popullit të Kosovës përkushtimin e qeverisë britanike për të gjetur zgjidhjen dhe se puna me sekretariatin e Këshillit të BE-së, me fjalë të tjera me zyrën e Havier Solanës, rreth Kosovës është prioritet i madh i qeverisë britanike. Britania e Madhe me kërkesë dhe insistim të kryeministrit Toni Bler ka premtuar se do të vazhdojë me përkushtim procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, përkundër shqetësimeve të disa vendeve të tjera anëtare, duke u ofruar siç thuhet perspektivë evropiane edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

XS
SM
MD
LG