Ndërlidhjet

PRESIDENTI MOISIU KËRKON RESPEKTIMIN E KODIT ZGJEDHOR DHE NJOHJEN E REZULTATEVE TË ZGJEDHJEVE


Alma Çupi, Tiranë

Zgjedhjet e lira e të ndershme janë themelore për stabilitetin politik e demokracinë, për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj euroatlantik. Ato janë një faktor plus për Kosovën, në rrugën e saj drejt statusit përfundimtar. Kështu tha sot në mesdite presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, kur ftoi të gjithë shqiptarët që të votojnë të dielën.
Presidenti Moisiu zgjedhjet parlamentare të tre korrikut i konsideroi si një provë e madhe për të gjitha institucionet kushtetuese dhe faktorët politikë të përfshirë në proces. Presidenti kërkoi transparencë, paanshmëri dhe korrektesë të organeve përgjegjëse dhe pasqyrim të saktë nga ana e medias.
"Ftoj institucionet qëndrore dhe lokale, policinë e shtetit, prokurorinë, gjyqtarët dhe pushtetin lokal, të dëshmojnë paanshmëri dhe korrektësi maksimale, në zbatimin rigoroz të kërkesave të ligjit dhe të kushtetutës".
Partive politike presidenti Moisiu u kërkoi që të respektojnë deri në fund Kodin Zgjedhor dhe Kodin e Sjelljes, si dhe të njohin rezultatet e zgjedhjeve.
"U bëj thirrje partive politike që kanë për detyrë që të respektojnë deri në fund Kodin e Zgjedhjeve dhe Kodin e Sjelljes. Partitë të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Ne jemi një popull i lashtë, me kulturë evropiane."
Po sot, edhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, për të shmangur të gjitha dyshimet për parregullsitë në rezultatin zgjedhor, që mund të shkaktojnë çertifikatat e vjedhura, vendosi që zgjedhësit të paraqesin edhe dokumente plus identifikimi.
Kështu krahas çertifikatës, nëse ajo konsiderohet e dyshimtë zgjedhësi duhet të paraqesë edhe një dokument tjetër si patentë, diplomë, apo librezë ushtarake.
Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, tha se ky vendim u mor me qëllim që rezultati zgjedhor të mos kontestohet.
"Prandaj do t'u luteshim votuesve që ta mirëkuptojnë kërë rregull, që është në interesin e vetë atyre dhe në interesin e procesit. Ne nuk duam të zhvillojmë njëË proces zgjedhor në të cilin palët do të kenë konteste dhe nuk do të pranojnë pastaj rezultatin e zgjedhjeve."
Ndërkohë në dy sheshet kryesore në Tiranë, dy partitë më të mëdha, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, po bëjnë mitingjet e fundit të fushatës. Nesër sipas Kodit Zgjedhor, media dhe partitë politike ndalohen të bëjnë aktivitete dhe propagandë për zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG