Ndërlidhjet

DOBINS:"STATUSI DUHET TË JETË I PRANUESHËM PËR SHUMICËN NË KOSOVË"


James DOBINS, ish emisar i SHBA-ve në Ballkan


RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Bush ka vazhduar edhe për një vit dispozitën sipas të cilës Ballkani paraqet burim potencial të jostabilitetit që rrezikon interesat nacionale të Shteteve të Bashkuara...

JAMES DOBINS
Mendoj se është vlerësim i qëlluar vendimi i administratës që Ballkani edhe më tej paraqet burim potencial të jostabilitetit. Si të justifikohet ndryshe mbajtja e trupave amerikane në Kosovë. Mendoj se është mirë edhe për Ballkanin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbeten të angazhuara edhe më tej dhe që janë të interesuara të evitojnë destabilizimin eventual.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri i Jashtëm serbo-malazez, Vuk Drashkoviq, ka deklaruar se ekziston lidhje ndërmjet zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe pozitës së Republikës serbe në Bosnje. Ky qëndrim është kritikuar ashpër nga zyrtarët në Bruksel dhe në Sarajevë?

JAMES DOBINS
Ky është një qëndrim shumë i papërgjegjshëm. Beogradi duhet të mendoj shumë para se të tentoj të destabilizoj cilindo vend fqinjë. Nuk është në interesin e Serbisë të destabilizoj Bosnjen. Rrjedhimisht propozimet për ndarjen e Bosnjes janë jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me interesat e Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Drashkoviq dhe zyrtarët tjerë në Serbi që mbështesin këtë qëndrim thonë se nëse shqiptarët në Kosovë fitojnë të drejtën e vetëvendosjes, që do të qonte në pavarësi, atëherë këtë të drejtë duhet ta kenë edhe serbët e Bosnjes?

JAMES DOBINS
Nëse dikush don të zbatoj të drejtën për vetëvendosje pa marrë parsysh të gjitha faktet, atëherë edhe vetë teritori i Serbisë mund të coptohet. Ka pjesë të Serbisë ku në shumicë jetojnë hungarezët ose shqiptarët. A mos sugjeron Vuk Drashkoviq që edhe këto pjesë të Serbisë të coptohen? Kuptohet që ai nuk e thotë këtë. Pra, duhet të kihen parasysh të gjitha rrethanat. Njëkohësisht është evidente që Serbia nuk mund të drejtoi Kosovën dhe këtë gjë e ka kuptuar çdo zyrtar i arsyeshëm në Beograd. Secili prej tyre privatisht thotë se është e pa mundur të kthehet kontrolli i Serbisë në Kosovë. Kjo do të kushtonte shumë dhe do të ishte e rrezikshme. Rrjedhimisht kërkesa për zbatimin e të drejtës për vetëvendosje pa rrespektimin e të gjitha elementeve është e papërgjegjshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Parashihet që bisedimet për statusin final të Kosovës të fillojnë gjatë këtij viti, ndërsa Nikolas Bërns ka thënë se mund të përfundojnë në vitin 2006...

JAMES DOBINS
Është me rëndësi që kjo të bëhet. Duhet kuptuar se bisedimet nuk do të thotë se do të përfundojnë me marrëveshje finale. Pra, do të bisedohet dhe mbi këtë bazë Këshilli i Sigurimit do të marrë vendimin. Në mbyllje të procesit Këshilli i Sigurimit do të përcaktoj statusin e Kosovës me miratimin e një rezolute që do ta zëvendësoj të tashmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se vendimin do ta marrë Këshilli i Sigurimit. Duke pasur parasysh pozicionet dhe qëndrimet e ndryshme të vendeve perendimore, siç është para së gjithash Amerika e Britania e Madhe dhe në anën tjetër Rusia dhe Kina, a do të jetë ky vendim i lehtë?

JAMES DOBINS
Nuk mendoj se ky do të jetë një vendim i lehtë. Por, procesi negociator ndërkombëtar që do të filloj deri në fund të këtij viti, do t'u mundësoj të gjitha palëve të interesuara të marrin pjesë në debat. Shtete e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe të tjerët duhet të rrespektojnë të gjitha qëndrimet, por në fund duhet të marrin vendimin se cili do të jetë statusi i Kosovës dhe këtë t'ia propozojnë Këshillit të Sigurimit. Duhet shpresuar se palët e involvuara do të jetësojnë marrëveshjen, por nëse ajo mungon kjo nuk do të bllokoj rezolutën për statusin final të Kosovës.

RADIO EVRIOPA E LIRË
Çfarë statusi final të Kosovës pritni?

JAMES DOBINS
Konsideroj se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës. Çdo opcion që nuk miratohet nga shumica në Kosovë nuk është i pranueshëm as për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njëkohësisht duhet sigurur që pakicat të jetojnë në paqjë dhe dinjitet. Rrjdhimisht çdo zgjidhje përfundimtare për Kosovën duhet të përfshijë edhe aranzhmanet speciale për mbrojtjen e pakicave, para së gjithash të serbëve.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo pavarësi për Kosovën?

JAMES DOBINS
Kjo do të thotë pavarësi, krahas përmbushjes së kushteve të apostrofuara.

Intervistoi: Dragan SHTAVLJANIN
XS
SM
MD
LG