Ndërlidhjet

KËRSTOVIQ: KA ARDHUR KOHA TË VENDOSIM VETË PËR PJESËMARRJEN NË INSTITUCIONE


Dragisha Kërstoviq nga LSKM-ja

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kërstoviq, Lista Serbe për Kosovën dhe Metohinë ende nuk ka marrë ndonjë vendim për pjesëmarrje në institucione. A mund të pritet këto ditë ndonjë vendim për këtë?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Shumë lehtë mund të ndodhë që këto ditë në mënyrë përfundimtare të vendoset për të hyrë në institucionet e përkohshme të Kosovës. Kjo mund të ndodhë që të hënën, pasi kemi një takim të Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë dhe pres që në këtë takim të bisedohet për pjesëmarrjen në institucione dhe për nevojën e pjesëmarrjes. Për mendimin tim rrethanat kanë ndryshuar dhe sigurisht që këto ditë do të bisedojmë seriozisht dhe do të marrim një vendim përfundimtar. Nuk ka më kuptim të bisedojmë për këtë temë dhe të mos marrim kurrfarë vendimi përveç vendimit për mospjesëmarrje. Unë sinqerisht pres që këtë herë të jetë rasti që të hyhet në institucione, por nuk mund ta them këtë me siguri. Unë e kam qëndrimin tim që nuk e fsheh që nga fillimi, se jam për të hyrë në institucione dhe që në institucione të veprojmë dhe punojmë, pasi kjo nuk është mënyra e vetme, por është më e mira që të mbrohen interesat e atyre qytetarëve që na kanë votuar, edhe pse sinqerisht duhet pranuar se na ka votuar një numër shumë i vogël i qytetarëve. Mendoj se vetëm në institucione mund të mbrohen interesat e tyre, apo të mbrojmë ato interesa të qytetarëve në mënyrën më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, disa përfaqësues të Listës suaj thonë se qëndrimi i Beogradit është vendimtar për këtë çështje. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Ne kemi pritur mjaft gjatë qëndrimin e Beogradit zyrtar. Ka kaluar më shumë se gjysëm viti që nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që e kemi pritur këtë qëndrim zyrtar, duke shpresuar se ky vendim do të jetë që një ditë të hyjmë në institucione dhe të mos taktizohet më politikisht. Unë nuk e di se sa do ta presim këtë qëndrim të Beogradit dhe thjesht mendoj se për këtë përfundimisht do të duhej të vendosnim vetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kërstoviq, i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ambasadori Kai Eide, ka ardhur për herë të dytë në Kosovë, për të vlerësuar përmbushjen e standardeve. Cili është qëndrimi i Listës serbe lidhur me rezultatet e deritashme në përmbushjen e standardeve?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Ne tashmë jemi takuar një herë me zotin Kai Eide, herën e parë kur ishte këtu, ndoshta në ditën e dytë apo të tretë të ardhjes së tij. Atëhere e kemi njoftuar zotin Eide se standardet nuk janë përmbushur dhe për faktin që ne nuk jemi të kënaqur me përmbushjen e tyre. Kështu që jemi marrë vesh, që këtë çështje ta shohim edhe disa herë, dhe për standardet dhe përmbushjen e tyre të flasim sërish. Unë sinqerisht mendoj se standardet nuk janë përmbushur dhe që përmbushja e tyre është larg nga ndonjë nivel i kënaqshëm i përmbushjes. Shumëçka sa u përket standardeve nuk është përmbushur, e posaçërisht ato më të rëndësishmet, nëse mund t’i ndajmë sipas rëndësisë. Mirëpo, gjithsesi për bashkësinë serbe, kthimi, siguria dhe liria e lëvizjes janë gjërat më të rëndësishme. Kthim nuk ka. Ka filluar edhe viti i shtatë që nga ardhja e misionit paqeruajtës dhe kthimi nuk ka ndodhur dhe një numër i madh i serbëve ende janë jashtë Kosovës. Shtrohet çështja se sa serbë të zhvendosur do të mund të kthehen në Kosovë dhe shtrohet çështje nëse në fund ky standard do të përmbushet fare në ndonjë masë dhe çka do të ndodhë me konceptin për Kosovën multietnike dhe statusin përfundimtar. Unë vërtet nuk besoj që ky standard themelor sipas pikëpamjes së bashkësisë serbe, do të përmbushet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, zoti Kërstoviq, kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të fillojë zbatimi i pilot-projekteve në kuadër të decentralizimit. Sipas këtij propozimi, pilot-komunat e para do të jenë Graçanica dhe Hani i Eelezit. Si e vlerësoni ju një orientim të tillë të qeverisë?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Ky orientim i qeverisë nuk ka qenë i kontestueshëm, as në fillim të punës për projektin e decentralizimit. Megjithatë, ky proces po shkon tepër ngadalë. Unë jam relativisht i përfshirë në procesin e decentralizimit që nga fillimi, mirëpo tashmë ka kaluar më shumë se një vit dhe ende nuk ka rezultate konkrete. Kjo do të thotë se nuk ka diçka të prekshme, që mund të shihet dhe të matet në terren dhe për të cilën do të mund të jepeshin vlerësime. Ky proces po shkon ngadalë dhe kohët e fundit kanë filluar të punojnë disa grupe punuese dhe disa nëngrupe, që punojnë për ligjvënien lokale dhe kështu me radhë. Kjo shkon ngadalë dhe unë jam dëshmitar i kësaj dhe kam frikë se edhe në këtë proces nuk do të bëhet shumë. Një kohë kemi pasur pesë pilot-projekte, ndërsa tani fillojnë Graçanica dhe Hani i Elezit dhe unë nuk e di se përse po fillojnë vetëm këto njësi komunale dhe përse nuk fillojnë që të pestat. Kjo do të thotë se në këtë proces diçka nuk është në rregull.

RADIO EVROPA E LIRË
A synojnë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, para së gjithash nga lista juaj, të marrin pjesë në procesin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës dhe në ç’mënyrë ju keni ndërmend të përfshiheni në këtë proces?

DRAGISHA KËRSTOVIQ
Kjo çështje sigurisht se do të hapet një ditë dhe unë personalisht mendoj se është krejtësisht normale, që secili, ka interes që kjo çështje të zgjidhet në këtë apo në atë mënyrë. Në proces duhet marrë pjesë në çfarëdo mënyre dhe kjo është një gjë që nuk mund të anashkalohet. Kështu që mendoj se edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të marrin pjesë në këtë proces, pasi statusi përfundimtar do të zgjidhet edhe pa ta, nëse ata nuk duan të marrin pjesë në këtë proces, por mendoj se ky nuk është interesi i tyre.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG