Ndërlidhjet

INSTITUCIONET DËNOJNË SHPËRTHIMET E DJESHME NË PRISHTINË


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e institucioneve më të larta në Kosovë kanë dënuar ashpër tre shpërthimet e njëpasnjëshme që ndodhën mbrëmë rreth orës 21 e 30 brenda selisë së UNMIK-ut, përballë ndërtesës së OSBE-së dhe afër Kuvendit të Kosovës.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, nëpërmjet një komunikate, ka theksuar se nuk do të lejohet që aktet e tilla, të cilat nuk përkrahen nga populli i Kosovës, të dëmtojnë procesin demokratik në Kosovë.
“Dhuna nuk do të na ndajë nga përcaktimi ynë për t’i përkrahur institucionet e përkohshme vetëqeverisëse dhe qytetarët e Kosovës, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një Kosovë paqësore, demokratike dhe multietnike”, ka cituar Jessen Petersen, zëdhënësi i UNMIK-ut Remi Dourlot.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka theksuar se këto akte të rrezikshme kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Zëdhënësi Muhamet Hamiti, ka cituar presidentin Rugova të ketë thënë se aktorët e këtyre akteve duhet të dalin sa më parë para drejtësisë.
“Shpërthimet ndodhën në kohën kur pritet të bëhet vlerësimi pozitiv i progresit të Kosovës, që do të hapte rrugën për njohjen e pavarësisë. Pra, këto akte janë të drejtuara kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së vendit tonë. Njëherësh, këto akte janë të drejtuara kundër institucioneve ndërkombëtare e kombëtare të vendit tonë dhe jetës së
qytetarëve”.
Edhe kryeministri Bajram Kosumi ka dënuar ashpër shpërthimet e mbrëmshme. Zëdhënësi Daut Dauti, tha se qeveria konsideron se shpërthimet janë sulm i organizuar.
“Zhvillimet e procesit politik në Kosovë kohët e fundit janë shumë të suksesshme dhe suksesin për këtë e mbajnë tre institucionet, qeveria dhe të tjerat së bashku me ato ndërkombëtare, prandaj duket se dikush frikësohet nga ky sukses dhe si reaksion i kësaj frike, mbrëmë ka ndodhur një sulm ndaj këtyre institucioneve, që është i organizuar. Nuk kemi informata të sakta ende, por është i organizuar nga ata, që nuk dëshirojnë të shohin përparim në Kosovë”.
Shefi i OSBE-së, ambasadori Verner Vendt, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se qëllimi i këtyre shpërthimeve ka qenë që të krijohet pasiguri, jo vetëm te kosovarët, por edhe te ndërkombëtarët.
“Këto sulme kanë për qëllim që të krijojnë pasiguri dhe frikë në mes të njerëzve në Kosovë, në kohën kur Kosova është në rrugë të mirë për të zgjidhur paqësisht problemet egzistuese këtu dhe nuk besoj se ky sulm do të ketë ndikim te njerëzit dhe politikanët e Kosovës”, tha Vendt, duke shtuar se pavarësisht nga shpërthimet ,OSBE do të vazhdojë përkushtimin në procesin e stabilizimit dhe të paqes në Kosovë.
Në anën tjetër zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës Refki Morina, tha se ende nuk ka asnjë të dyshuar dhe as të arrestuar lidhur me shpërthimet, të cilat përveç dëmeve materiale, nuk shkaktuan pasoja në njerëz.
“Ende për momentin nuk kemi konfirmim zyrtar nga njësitë përkatëse, se cili është motivi i kryerjes pasi ata janë duke kryer ende punën e tyre”.
Policia nuk ka sqaruar as se të çfarë natyre kanë qenë mjetet shpërthyese apo mënyrën e aktivizimit të tyre. Sipas policisë nga shpërthimet e mbrëmshme tre automjete janë djegur brenda rrethojave të selisë së UNMIK-ut. Shpërthimi në afërsi të selisë së OSBE-së ka dëmtuar zyrat e agjencisë së udhëtimeve Eurokoha, ndërkohë që dëme më të lehta ka shkaktuar shpërthimi në afërsi të ndërtesës së qeverisë së Kosovës, duke dëmtuar lehtë ndërtesën e qeverisë. Deri tash askush nuk ka marrë përgjegjësinë për këto shpërthime.









XS
SM
MD
LG