Ndërlidhjet

TESTI I ZGJEDHJEVE TË PAKONTESTUARA


Lutfi Dervishi

Zgjedhjet e sotme në Shqipëri do të jenë nga më të rëndësishmet e mbajtura që prej rënies së komunizimit, jo aq për faktin se kush do të jetë kabineti i ri qeverisës, por për mënyrën se si do të mbahen ato. Në mënyrë të përmbledhur shqetësimin e votuesve shqiptarë dhe të komunitetit ndërkombëtar e sintetizoi me një fjali presidenti i Republikës në mesazhin elektoral: "E rëndësishme është që në këto zgjedhje të fitojë Shqipëria"
Sondazhet e zhvilluara i japin një përparësi të lehtë demokratëve, që kanë tetë vjet në opozitë dhe forca e tretë që mund të lëvizë ballancën e pushtetit është Lëvizja Socialiste për Integrim, që sipas sondazheve merr 10% të votave.
Shqipëria, është e vetmi vend në rajon që nuk ka thyer ende ciklin e zgjedhjeve problematike dhe votimi i sotëm shihet si një test i rëndësishëm për integrimin në strukturat euroatlantike.
Një ushtri me vëzhgues të huaj dhe vendas do të jenë të pranishëm sot dhe nesër gjatë procesit të numërimit të votave dhe pavarësisht problemeve që mund të dalin, këto janë zgjedhjet më të përgatitura nga pikëpamja e infrastrukturës zgjedhore dhe që kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit dhe komisionieri për punët e jashtme të BE-së, kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve për të ardhmen e vendit.
Megjithë dështimet në të kaluarën, asistencën ndërkombëtare, miratimin e kodit të ri zgjedhor, përmirësimin e listave të votuesve, sot nuk mund të pritet të ndodhë mrekullia dhe të mos ketë asnjë problem. Shqetësime të pranishme deri më tani ka qenë shtrirja e fenomenit të Dushkut (një taktikë elektorale e dy partive të mëdha, që fitojnë më shumë deputetë duke orientuar votuesit e tyre të votojnë për partitë e vogla aleate) dhe humbja, apo futja në qarkullim e një sasie të konsiderueshme çertifikatash lindje, një nga dokumentet që përdoret për votim.
Fushata elektorale nuk ka shënuar ndonjë incident serioz, por ndryshon nga të tjerat, për nga numri i aleancave të partive të mëdha dhe mediatizimi i saj.
Partia Demokratike futet në zgjedhje me shtatë parti aleate dhe i ka bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të vet që votën në listën proporcionale t'ia kalojnë aleatëve. PD, e cila edhe në mesin e fushatës i bëri thirrje Partisë Socialiste për të bërë një ndreqje në Kuvend për të parandaluar fenomenin e Dushkut, kur mori përgjigje negative kaloi në kundërpërgjigje masive. Për t'u shënuar është se këtë taktikë elektorale PD e përdor me transparencë maksimale. Në kampin tjetër, Partia Socialiste që kërkon një mandat të tretë qeverisës, është futur në fushatë me katër parti të vogla, por ndryshe nga demokratët, e përdor me më shumë makiavelizim "taktikën" e Dushkut dhe është më e kursyer në thirrjet publike për transferimin e votës tek partitë aleate. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar u futën pa aleanca në zgjedhje.
Në këtë fushatë elektorale, partitë dhe kandidatët u kushtuan shumë vëmendje medias, përgjithësisht ekraneve të televizioneve. Spotet elektorale, kundër spotet, debatet dhe mitingjet u përdorën me bollëk nga forcat kryesore politike. Për herë të parë shihet transformimi i politikanit tradicional që jep mesazhe në rrugë dhe sheshe me "telepolitikanin" që përdor ekranin dhe shpesh problemet reale kërkon ti kamuflojë me realitetin digital.
Zgjedhjet e sotme, nuk janë provë për votuesit. Në çdo zgjedhje ato e kanë kryer detyrën e tyre. Zgjedhjet e sotme janë provë në radhë të parë për qeverinë shqiptare, institucionet që merren direkt me zgjedhjet dhe klasën politike. Nëse shqiptarët e kanë thyer me votën e tyre frikën nga diktatura në vitin 1991, problemet me zgjedhjet kanë ardhur nga fakti se ka qenë klasa politike, që nuk ka thyer dot frikën nga vota e lirë. Frikë që shpresohet të thyhet me votën e 3 korrikut. Zgjedhjet, ku humbësi pranon rezultatin dhe fituesi sillet me fisnikëri, kanë shumë më tepër vlerë se çertifikimi ndërkombëtar "zgjedhje të lira dhe të ndershme" apo ca më keq, zgjedhje që shënuan progres, por patën probleme.

XS
SM
MD
LG