Ndërlidhjet

KQZ: DO NDIQEN PENALISHT TË GJITHË PERSONAT QË DO SHKAKTOJNË PROBLEME NË PROCESIN ZGJEDHOR


Alma Çupi, Tiranë

Këto zgjedhje për Shqipërinë janë mjaft të rëndësishme dhe ne nuk do të lejojmë askënd të ndikojë në vullnetin e zgjedhësve. Kështu deklaroi sot në mesditë, kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, i cili tha se nuk do të lejojë manipulime dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që do të krijojnë probleme.
"Shpresoj dhe besoj se të gjithë e kanë kuptuar mesazhin për standartin e këtyre zgjedhjeve. Kush do të përpiqet të cënojë standardin, kush do të përpiqet të ndikojë në vullnetin e zgjedhësve, në çfarëdolloj mënyre, ai do të ketë ndjekje penale në bazë të ligjit. Nuk mund të lejohet që të luhet me standartin e zgjedhjeve."
Më tej kreu u KQZ-së Celibashi, u bëri thirrje partive politike, që të ndikojnë në disiplinimin e sjelljes ligjore të anëtarëve të komisionit në qendrat e votimit.
" Unë shfrytëzoj rastin që t'u bëj dhe thirrje partive politike që të kontribojnë në këtë proces, veçanërisht atyre partive politike që kanë komisionerë. Për fat të keq, ne do donim të ishte ndryshe, po kështu është që ata janë më shumë nën autoritetin e lidershipit të tyre politik, sesa nën autoritetin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Kështu që partitë politike me autoritetin e tyre, me autoritetin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duhet të ndikojnë në disiplinimin e sjelljes ligjore të anëtarëve të komisionit të qëndrave të votimit."
Ndërkohë Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, dy partitë më të mëdha në Shqipëri, kanë bërë të ditur për shtyp disa incidente nëpër qëndra votimesh. Kryesisht incidentet janë me bllokimin e punës për shkak të mungesës së votuesve në lista, apo dyshimit me çertifikatat.
Zëdhënësi i ditës së zgjedhjeve në Partinë Demokratike Ermal Hasinja, bëri të ditur disa nga problemet.
"Në disa qendra votimi disa votues janë hequr nga listat e tyre përfundimtare. Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë këtyre votuesve të paraqiten tek komisionerët e votimit, brenda qendrave të votimit dhe të kërkojnë emrat e tyre brenda listave."
Parregullsi të pjesshme bëri publike edhe zëdhënësi i Partisë Socialiste Gjergj Koja.
"Lejomëni t'ju informoj për disa nga parregullsitë e vëna re deri tani me shkaktarë përfaqësues të Partisë Demokratike. Në disa qendra votimi, si në zonën 11 dhe 12 të qarkut të Kuksit, si edhe në zonën 83 në Borsh, militantë të Partisë Demokratike vazhdojnë të bëjnë presion nëpër qëndra votimi, për të votuar pa dokumente identifikimi."
Pavarësisht këtyre incidenteve, krerët e partive deklarojnë se votimi po shkon mirë dhe për çdo rast do të bëjnë denoncime në prokurori. Sipas KQZ-së deri në orët e drekës rreth 30 % e votuesve janë paraqitur në qendrat e votimit për të votuar. Ndërsa zyra e shtypit pranë Partisë Demokratike jep një përqindje më të madhe. Votimet do të zgjatin deri në orën 19. Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, nuk ka nguruar që disa herë të shfrytëzojë median për t'u bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë.
Zgjedhjet e këtij viti sipas analistëve shikohen si më të paparashikueshmet, për shkak të diferencës shumë të vogël të përqindjeve mes dy partive kryesore, të dala nga sondazhet.

XS
SM
MD
LG