Ndërlidhjet

SULMOHET ZYRA E PDSK-SË NË ZUBIN PATOK


Albana Isufi, Prishtinë

Selia e Partisë Demokratike Serbe për Kosovën e Metohinë në Zubin Potok është sulmuar pas mesnatës nga persona të panjohur.
Zëdhënësi rajonal i policisë së UNMIK-ut, Larry Miller, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se përveç dëmeve materiale nuk ka pasoja në njerëz, derisa motivi i sulmit mbetet i pasqaruar.
“Policët e stacionit në Zubin Potok i janë përgjigjur thirrjes se është parë një shpërthim afër qendrës së qytetit, kur kanë arritur në vendin e ngjarjes kanë vërejtur se një granatë dore është hedhur në zyrat, të cilat përdoren nga Ministria për Kthimin e të zhvendosurve dhe të Partisë Demokratike serbe. Janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa rasti po hetohet nga policia”, tha Larry Miller.
Partia Demokratike Serbe për Kosovën, e themeluar para 10 ditësh, është e para parti e serbëve e krijuar dhe e regjistruar në Kosovë, derisa të tjerat janë degë të partive nga Serbia.
Ajo drejtohet nga Ministri për Kthim dhe Komunitete Sllavisha Petkoviq. Sekretari në këtë ministri Mihajlo Shqepanoviq, e ka dënuar ashpër këtë sulm.
“Konsideroj se ky është një akt vandal, për të cilin nuk ka asnjë arsye dhe besoj se asnjëherë nuk do të përsëritet”, tha Mihajlo Shqepanoviq.
Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthim, sikur që nuk është marrë përgjegjësia as për 3 shpërthimet e së shtunës në mbrëmje në tre nga institucionet kryesore në Prishtinë, në selinë e UNMIK-ut, përballë OSBE-së dhe afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Policia është duke i hetuar edhe këto sulme, të cilat përveç dëmeve materiale nuk kanë pasur pasoja në njerëz. Deri tani nuk ka as të dyshuar e as të arrestuar, madje nuk dihet as me çfarë mjete janë shkaktuar shpërthimet apo mënyra e aktivizimit të tyre.
Këto shpërthime i kanë dënuar të gjitha institucionet vendëse dhe ndërkombëtare në Kosovë, duke i cilësuar ato si sulme kundër ndërtimit të Kosovës demokratike.



XS
SM
MD
LG