Ndërlidhjet

logo-print

NDËRKOMBËTARËT VLERËSOJNË POZITIVISHT PROCESIN E ZGJEDHJEVE NË SHQIPËRI


Alma Çupi Tiranë

Ende nuk është dhënë rezultati zgjedhor për të gjitha qendrat e votimit në Shqipëri. Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi deklaroi sot se disa komisionerë kanë lënë procesin e numërimit të votave, por garantoi se procesi zgjedhor nuk do të cënohet. Për Celibashin është shumë e rëndësishme klima rreth komisionerëve ku numërohen votat. Sipas tij nuk duhet të ushtrohet presion tek komisionerët. Gjithashtu Celibashi u bëri thirrje partive politike që të mos deklarojnë rezultate por të presin rezultatin përfundimtar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, si mënyrë më e mirë për të mos cënuar procesin zgjedhor.
"Kandidatët besoj kanë mekanizmat e tyre të informimit, por do të ishte mirë që të mos deklaroheshin. Nuk dua të them se kjo që bëjnë ata është e jashtëligjshme, por mendoj se nuk i shërben klimës", tha Celibashi.
Gjatë mesditës së sotme, edhe drejtoresha egzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vasilika Hysi, vlerësoi punën që kanë bërë vëzhguesit vendorë dhe të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
"Komiteti ka monitoruar reth 1000 qendra votimi në këto rrethe kryesore dhe aktualisht po numëron 25 qendra të numërimit të votave. Komiteti Shqiptar i Helsinkit dëshiron të falenderojë të gjithë vëzhguesit afatgjatë të tij, për profesionalizmin, paanshmërinë, përkushtimin, komunikimin me etikë të vërejtjeve që ata i kanë bërë komisionerëve në qendrat e ndryshme të votimit. Gjithashtu dua të falenderoj Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për akreditimin e shpejtë të vëzhguesve të Komitetit dhe për imponimin dhe vënien në dispozicion të këtij komiteti të informacioneve dhe udhëzimeve të nevojshme për vëzhgim."
Deklaratë për shtyp kanë dhënë sot edhe liderët e partive politike në Shqipëri. Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli deklaroi se Partia Demokratike ka fituar në 70 përqind të territorit të Shqipërisë.
"Në bazë të rezultateve që kemi minutat e fundit, të marra nga KZZ e afro 100 zonave elektorale, del që në 70 prej tyre, pra në 70 % të territorit të Shqipërisë kanë fituar kandidatët e Partisë Demokratike".
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, tha se Partia Socialiste ka fituar në 6 zona në Tiranë, Partia Demokratike në 44 zona, ndërsa një zonë është fituar nga Partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Zoti Ruçi bëri apel që të mos bëhet presion mbi komisionerët që numërojnë votat.
"Gjatë ditës së sotme dhe natës së mbrëmshme ka patur mjaft trysni ndaj grupeve të numërimit dhe ndaj grupeve të komisioneve të zonave elektorale, të mos shkelë asnjë njeri ligjin dhe kodin".
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka deklaruar një orar të saktë se kur mund të shpallen rezultatet e votimit, por thotë se orë pas ore do të japë rezultate paraprake. Ndërkaq në një konferencë shtypi të vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet në Shqipëri janë vlerësuar "në përputhje me standardet dhe angazhimet ndërkombëtare deri në një shkallë të caktuar". Shefi i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Grunet, ka thënë se shumica e qytetarëve shqiptarë ushtroi të drejtën e votës me maturi dhe sjellje të pranueshme.

XS
SM
MD
LG