Ndërlidhjet

ALBRIGHT FILLON VIZITËN TREDITORE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

E kam kuptuar ëndrrën e popullit të Kosovës dhe kam punuar për ta realizuar atë, ka thënë sot me të arritur në aeroportin e Prishtinës ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, e cila do të qëndrojë në Kosovë gjatë tre ditëve dhe do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe me liderë të partive politike. Zonja Albright, e cila ka qenë Sekretare e Shtetit gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave të Millosheviqit, këtë herë ka ardhur në Kosovë në cilësinë e kryesueses së organizatës amerikane Iniciativa Demokratike Kombëtare. Ajo është pritur në aeroportin e Prishtinës nga shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Kosumi dhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.
Zonja Albright tha se ishte mrekulluar derisa kishte ardhur me aeroplan dhe kishte parë, siç u shpreh, natyrën e bukur dhe shtëpitë të ndërtuara, që ishte një pamje e ndryshme nga ajo kur ishte këtu herën e fundit më 1999, vetëm pak pas përfundimit të luftës:
"Që nga fillimi e kam kuptuar ëndrrën e popullit të Kosovës dhe kam punuar në përpjekje për ta realizuar këtë ëndërr," tha ish-sekretarja Albright. Ajo tha se kishte ardhur këtu për të parë se si shkonin punët në këtë fazë të rëndësishme dhe për t'u siguruar se gjërat po shkonin në drejtimin e duhur:
"Është me shumë rëndësi që proçesi demokratik të ecë përpara, që njerëzit të marrin pjesë, të respektohen të drejtat e pakicave dhe ne të kemi mundësi të sigurohemi që Kosova ta zërë vendin e saj të duhur," tha Madeleine Albright.
Ajo megjithatë nuk ka dashur të parashikojë se si do të duket statusi i ardhshëm i Kosovës. Ne jemi në mes të të gjithë kësaj dhe të procesit të statusit. Kjo është edhe çështja për të cilën do të bisedoj me miqtë e mi këtu , tha ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Mdeleine Albright, e cila nesër do të takojë presidentin Rugova dhe kryeministrin Kosumi, e më pas do t’u drejtohet me një fjalim deputetëve në Parlamentin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG