Ndërlidhjet

POZITA DHE OPOZITA ME QËNDRIME TË NDRYSHME PËR SITUATËN EKONOMIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri Bajram Kosumi tha se qeveria e tij mbështet ato politika ekonomike, që sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për investime dhe ngritjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme si burim i mirë për zhvillimin ekonomik. Sipas tij aktualisht po punohet dhe në hartimin e një strategjie zhvillimore të Kosovës, e cila do të jetë e gatshme deri vitin e ardhshëm.
"Kemi filluar punën intensive për hartimin e strategjisë së zhvillimit ekonomik të Kosovës. Strategjia do të përfshijë periudhën deri në vitin 2013 dhe kjo përputhet me një proces të planifikimit në shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian, ose kandidate për anëtarësim."
Kryeministri Kosumi tha se ai ka kërkuar vazhdimisht që privatizimi të kalojë në kompetencë të qeverisë së tij. Në përgjithësi tha Kosumi, Kosova po kalon me sukses nga faza e rindërtimit në atë të zhvillimit ekonomik, mirëpo pengesë në vetvete sipas tij është statusi i pazgjidhur i Kosovës. Meqënëse ekonomia e Kosovës në fusha të caktuara paraqitet edhe si e drejtë e rezervuar e UNMIK-ut, kuvendit i është drejtuar dhe shefi i shtyllës së katërt që përfaqëson Bashkimin Evropian në kuadër të Kombeve të Bashkuara, Joakim Ryker, përgjegjës për procesin e privatizimit.
"Zhvillimi ekonomik në Kosovë po ballafaqohet me një sfidë të trefishtë dhe rrugëtim të gjatë, në transfomimin e ekonomisë nga lufta në paqe, transformimin e ekonomisë që kalon nga ajo e komunizmit në një ekonomi të tregut dhe mbi të giitha, ende nuk e kemi as statusin përfundimtar të zgjidhur", ka thënë Ryker. Prioritetet e zhvillimit ekonomik sipas tij, duhet të jenë vazhdimi i privatizimit, hapja e vendeve të punës, menaxhimi më i mirë i financave dhe tatimeve, joshja e investimeve të jashtme, si dhe investimet që Kosova duhet t'i bëjë në fushën e energjisë, minierave dhe mineraleve. Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës, e kanë kundërshtuar kryeministrin Kosumi në vlerësimet e tij, se qeveria po aplikon politika të mira ekonomike.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Jakup Krasniqi, numëroi disa nga ngecjet, sipas tij, në ekonomi, që ndikojnë drejt për drejt në mungesën e perspektivës ekonomike dhe rritjen e devijimeve në shoqërinë kosovare.
"Gjendja soiale është e rëndë. Situata e tillë krijon ndjenjën e mungesës së perspektivës dhe sjell shumë të këqija, si krimin, jostabilitetin politik, shkallën e ulët të sigurisë, delikuencën e të miturve, korrupsionin, kontrabandën, abuzimet e ndryshme dhe shumë dukuri të tjera negative."
Ndërkohë që Veton Surroi, kryetar i partisë politike Ora, si inicues i këtij debati, e ka akuzuar qeverinë se ajo prioritet kryesor ka blerjen e veturave të shtrenjta dhe organizimin e festivaleve.
Përveç kritikave për mungesën e politikave ekonomike dhe menaxhimin e dobët të financave publike, Surroi përmendi si alarmante përqindjen e të papunësuarve në Kosovë.
"Egziston sot një numër prej një milion personash të aftë për punë, sipas një statistike të thjeshtë demografike dhe në formën e vet maksimale egzistojnë 300 000 të punësuar, duke përfshirë edhe qytetarët që merren me bujqësinë. Kjo do të thotë se Kosova realisht ka 70 përqind të papunë."
Mirëpo të dhënat e paraqitura nga opozita i ka kundërshtuar kryeministri Kosumi, i cili tha se papunësia në Kosovë mund të jetë në shkallën 35- 40 përqind. Në anën tjetër, deputetët nga anët e partive në koalicion, kryesisht i kanë shprehur mbështetje qeverisë Kosumi, duke shpresuar se politikat e saj ekonomike do të sigurojnë një perspektivë më të mirë ekonomike për të ardhmen.


XS
SM
MD
LG