Ndërlidhjet

DIOGARDI: KËTË MEDALJE E KONSIDEROJ MIRËNJOHJE PËR TË GJITHË SHQIPTARO AMERIKANËT


Albana Isufi, Prishtinë

Presidenti Rugova në shenjë respekti për, siç ka thënë, angazhimin në çështjen e Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj, i ka dorëzuar sot Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit ish-kongresistit amerikan Xhozef Diogardit, me të cilën e kishte dekoruar para dy vjetësh.
“Nga presidenti i Kosovës dekorohet me Medalien e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ish-kongresisti Xhozef Diogardi, për kontributin e dhënë në mbrojtjen dhe afirmimin e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në Kongresin amerikan dhe në Amerikë në fund të viteve 80', si dhe për përkrahjen e Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri dhe pavarësi".
Ish- kongresisti amerikan Xhozef Diogardi, ka thënë se medalja, në radhë të parë, u kushtohet të gjithë shqiptaro-amerikanëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
“E pranoj sot këtë medalje, jo vetëm për mua, por për shqiptaro-amerikanët që kanë punuar aq shumë për 20 vite, duke më përkrahur mua si kongresist dhe tani në Ligën Qytetare-Shqiptaro Amerikane, si zë i pavarur në mesin e shqiptarëve," tha Diogardi.
Ai ka thënë se në Uashington, disa kongresistë janë të gatshëm që ta shtyjnë përpara çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Henry Hajd, Lantosh janë disa prej tyre dhe unë mendoj se është e rëndësishme që ju, zoti president, të kontaktoni me ta, sepse ata janë të përgatitur që ta shtyjnë presidentin Bush, që ta njohë pavarësinë e Kosovës tash në Shtetet e Bashkuara”, tha kryetari i Ligës Qytetare-Shqiptaro- Amerikane pas marrjes së medaljes nga presidenti Rugova.
Në bazë të Kornizës Kushtetuese, presidenti i Kosovës ka të drejtë të dekorojë me medalje personalitete të ndryshme. Medalja e Lirisë i është dorëzuar dje ish Sekretares amerikane të Shtetit Madeleine Albright, ndërkohë, që me medalje të tilla, presidenti Rugova ka dekoruar edhe personalitete të tjera të larta ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG