Ndërlidhjet

KQZ: PARTIA DEMOKRATIKE UDHËHEQ ME 54 VENDE DEPUTETËSH


Alma Çupi, Tiranë

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nxorri rezultatin zyrtar, për 44 zona zgjedhore nga 100 që janë gjithsej, ku 31 prej tyre janë fituar nga Partia Demokratike. Ndërsa sipas rezultatit paraprak është mbyllur votimi në 94 zona zgjedhore, ku Partia Demokratike kryeson me 54 kandidatë për deputetë të fituar, ndërsa Partia Socialiste me 40 kandidatë për deputetë. Dy zona zgjedhore janë me pikëpyetje, ndërsa në katër prej tyre ka paqartësi përsa i përket numërimit të votave. Zëdhënësi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Erton Sinani, tha sot se ka një numër të madh ankesash nga partitë e vogla, në lidhje me numërimin e votave për subjektet politike.
"Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka marë në dorëzim ankesa nga kandidatët. Numrin unë nuk mund ta deklaroj, jo sepse kjo përbën ndonjë informacion që nuk duhet deklaruar, por situata është në ndryshim aq të shpeshtë saqë, ankesat që unë mund të deklaroj tani, mund të ndryshojnë në një numër tjetër pas një ore."
Përqindje më të madhe derimë tani, nga numërimi i votave në proporcional ka Partia Republikane me 22 përqind, e pasuar nga Partia Socialiste me 10 përqind, Partia Demokratike me 9 përqind, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim me 8 përqind, ndërsa partitë e tjera kanë marrë më pak se 5 përqind.
Lulëzim Basha, zëdhënës i Partisë Demokratike dhe një nga kandidatët që ka fituar në këto zgjedhje, tha se Ministri i Jashtëm Kastriot Islami, që humbi në zonën e tij, po kërkon që të manipulojë rezultatin.
"Edhe njëherë u kërkoj atyre që nuk kanë përfunduar procedurat akoma, që të përshpejtojnë ritmet brenda, gjithmonë brenda parametrave ligjore, për të përfunduar procesin e numërimit dhe për të kurorëzuar me sukses procesin zgjedhor të vitit 2005 në Shqipëri."
Kastriot Islami ka kërkuar që dy kuti votimi të numërohen edhe njëherë nga KQZ-ja dhe jo nga komisionerët.
Kryetari i LSI-së Ilir Meta doli sot në një konferencë shtypi dhe deklaroi se fenomeni "dushk" ka krijuar një rezultat jo të ndershëm në këto zgjedhje.
"Janë manipulime të cilat vazhdojnë në veçanti, lidhur me numërimin e votave të sistemit proporcional."
Partitë e vogla në përgjithësi janë ankuar për sistemin dushk, nga i cili një pjesë e tyre janë dëmtuar. E fituara nga ky fenomen është Partia Republikane, e cila kryeson rezultatin proporcional. Kjo pasi qytetarët me bindje të djathta kanë votuar kandidatin demokrat, ndërsa në listën e subjekteve politike kanë votuar këtë parti, e cila është në aleancë me Partinë Demokratike. Kjo mënyrë votimi u është kërkuar votuesve që gjatë fushatës, nga dy partitë më të mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Për herë të parë fenomeni dushk gjeti zbatim në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 2001-it dhe ishte një formulë që u aplikua në zonën e quajtur dushk. Disa herë Partia Demokratike kërkoi ndryshimin në Kodin Zgjedhor, me qëllim që kjo skemë të mos lejohej të përdorej gjatë zgjedhjeve të 2005-ës, por ndryshimet nuk u miratuan nga Partia Socialiste. Fenomeni dushk, sipas analistëve pati një efekt të paimagjinueshëm në rezultatin zgjedhor të subjekteve politike.

XS
SM
MD
LG