Ndërlidhjet

logo-print

ENGEL: PAVARËSIA, E VETMJA E ARDHME PËR KOSOVËN


Albana Isufi, Prishtinë

Kongresisti amerikan Eliot Engel është shprehur i bindur sot në Prishtinë, se pavarësia e Kosovës shumë shpejt do të bëhet realitet. Zoti Engel, në një fjalim drejtuar Kuvendit të Kosovës, ka thënë se opsionet e pakta për statusin përfundimtar të Kosovës, i vetmi që mund të realizohet është pavarësia.
“Unë u kam thënë miqve në UNMIK dhe në vendet tjera se status quoja nuk mund të zvarritet përgjithmonë. Unë nuk kam ardhur në përfundim se Kosova do të pavarësohet brenda natës. Por, nëse shikoni opsionet, është vetëm një dhe ajo është pavarësia e Kosovës. Lidhjet me Beogradin sipas mendimit tim, kurrë më nuk do të vihen, në kuptimin, që Beogradi ta qeverisë këtë vend. Ajo ishte e kaluar dhe tash ka përfunduar”, tha Engel, duke shtuar se liderët ne Beograd duhet sa më parë që t’u tregojnë këtë të vërtetë popullit të tyre, në mënyrë që Serbia të përfshihet në mesin e vendeve demokratike.
Kongresisti Eliot Engel, i cili për angazhimin në afirmimin e çështjes së Kosovës, u dekorua sot me Medaljen e Artë të Lirisë nga presidenti Rugova, ka thënë se do të vazhdojë përpjekjet e tij në Uashington, për të ndihmuar kosovarët në arritjen e synimit të tyre.
“Unë do t’i them UNMIK-ut, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, se standardet para statusit janë të papranueshme, ato duhet të përmbushen bashkë me statusin. Ne duam që statusi të zgjidhet shpejt. Duam që kosovarët të udhëheqin vetë institucionet, por edhe jetën e tyre”, tha pas takimit me presidentin Rugova kongresisti Eliot Engel.
Presidenti Rugova ka çmuar përkushtimin dhe përkrahjen që Shtetet e Bashkuara, por edhe zoti Engel, i kanë dhënë Kosovës.
“Dhe mund të them se jemi në rrugë të mirë të ndërtojmë lirinë, të ardhmen tonë dhe pavarësinë e Kosovës."
Kongresisti Eliot Engel ka vizituar edhe Shtabin e Përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ku ka deklaruar se me liderët e tashëm, Kosova do të ecë shpejt drejt pavarësisë së saj. Gjenerali Agim Çeku ka siguruar zotin Engel, se përkrahja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë TMK-së ka sjellë rezultate, por investimet e miqve amerikanë, sipas komandantit Agim Çeku, janë edhe mëtej të nevojshme.
“Si rezultat i kësaj mbështetjeje ne do ta kryejmë punën tonë, do ta krijojmë institucionin tonë ashtu si dëshirojmë edhe vetë dhe si dëshirojnë të na shohin miqtë tanë".
Kongresisti Eliot Engel, i shoqëruar nga përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, është takuar sot edhe me liderët e opozitës.

XS
SM
MD
LG