Ndërlidhjet

SË PAKU 37 TË VDEKUR E 700 TË PLAGOSUR NGA SULMET NË LONDËR


Katër shpërthime përfshinë transportin nëntokësor dhe autobusat në Londër në orët me më shumë lëvizje të paradites. Sipas kryeministrit britanik Tony Blair, sulmet janë më të rëndat për kryeqytetin që nga Lufta e Dytë Botërore.
"Ne e dimë se këta njerëz kanë vepruar në emër të Islamit, por po ashtu e dimë se shumica dërrmuese e myslimanëve këtu dhe jashtë janë njerëz të ndershëm që i binden ligjit dhe që kanë neveri për këto sulme sa edhe ne", tha Blair. Ai shtoi se ka mirëpritur deklaratën e Këshillit Mysliman Britanik, ku dënoheshin sulmet e sotme. Këto sulme përkuan me mbajtjen e takimit të drejtuesve më të lartë të grupit të tetë vendeve më të industrializuara të botës, G8, që po mbahet në Skoci. Blair u largua nga takimi për të ndjekur nga afër ngjarjet dhe masat për përballimin e situatës.
"Dua të jem në krah të policisë dhe të mësojë situatën nga ministrat e kabinetit tim. Në mbrëmje do të kthehem në samit", u shpreh kryeministri britanik. Sekretari britanik i Punëve të Brendshme, Charles Clarke, ka thënë se po merren të gjitha masat për të kontrolluar situatën dhe për të ndihmuar të prekurit nga këto sulme. Dëshmitarët kanë mbetur të tronditur nga skena që kanë parë. Një prej tyre rrëfen.
"Ne u nisëm nga stacioni, hymë në tunel. Pas rreth 10 metrash dëgjuam një shpërthim. U bë errësirë, treni u trondit. U ndez një dritë emergjence, njerëzit nisën të bërtasin dhe u vendi u mbush me tym dhe hi gjithkund, mbi rrobat e mbi duart tona. Nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte", tregon pasagjeri.
Bashkë me përpjekjet për të qetësuar situatën kanë nisur edhe hetimet intensive. Policia mendon se ndoshta është përsëritur skenari i sulmeve terroriste në Madrid më 11 mars të vitit të kaluar. Grupi i vetëquajtur "Organizata sekrete e Al-Kaidas në Evropë" ka marrë përsipër përgjegjësinë mbi sulmet. Lidhur me kërcënimet e këtij grupi analistja e radios "Evropa e Lirë", Catherine Ridolfo sqaron:
"Deklarata e këtij grupi i tërhiqte vëmendjen qeverive të Italisë dhe Danimarkës dhe gjithë qeverive, që siç thonë ata, "marrin pjesë në kryqëzatë" se do të ndëshkohen nëse nuk tërheqin trupat nga Iraku dhe Afganistani."
Por kryeministri britanik ka shprehur vendosmërinë se terroristët nuk do t'ia arrijnë qëllimit.
"Është e rëndësishme se ata që janë të përfshirë në terrorizëm të kuptojnë se vendosmëria jonë për të mbrojtur vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës është më e madhe se e atyre që duan të shkaktojnë vdekje dhe shkatërrim të njerëzve të pafajshëm në mënyrë që të imponojnë ekstremizmin në botë", tha Blair.
Dhe kryeministri britanik nuk ka qenë i vetëm në këtë qëndrim. Presidenti amerikan George Bush, që gjendet në Britani në takimin e G8 deklaroi:
"Nga njëra anë, këtu në G8, njerëzit po punojnë të zhdukin varfërinë dhe të ndihmojnë botën t'i jap fund SIDA-s. Të tjerë po punojnë për çështjet e mjedisit. Nga ana tjetër janë ata që po vrasin njerëz të pafajshëm. Dallimi nuk mund të jetë më qartë." Më tej Bush ka shtuar:
"Lufta kundër terrorizmit po vazhdon dhe isha shumë i prekur nga vendosmëria e të gjithë udhëheqësve në këtë sallë. Vendosmëria e tyre, ashtu si e imja, ishte se ne do t'i gjejmë e do t'i nxjerrim para drejtësisë autorët dhe njëherësh do të përhapim ideologjinë e shpresës dhe mirëkuptimit që do të mund ideologjinë e tyre të urrejtjes."
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara njëzëri miratoi rezolutën që i dënonte sulmet. Britania ka marrë mesazhe mbështetje dhe solidariteti nga një numër vendesh evropiane, që i kanë cilësuar sulmet si sulme kundër Evropës. Sulmet janë dënuar dhe nga Kina e Irani.
Ndërkaq ish kryebashkiaku i Nju Jorkut në shtator të vitit 2001, Rudi Guiliani, i cili gjendet në Londër vlerësoi qetësinë me të cilën reaguan qytetarët e Londrës. Ndërkaq në gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut janë rritur në maksimum masat e sigurisë.


XS
SM
MD
LG