Ndërlidhjet

KERSABIEC: SITUATA E SIGURISË E QETË


Albana Isufi, Prishtinë

Çanta e gjetur dje me 200 gramë mjet eksploziv në oborrin e Radio Televizionit të Kosovës, shënon rastin e katërt që brenda javës në Prishtinë ka shpërthime apo gjenden mjete eksplozive.
Por, deri tash ekipet hetuese te policisë dhe të KFOR-it përveç llojit të eksplozivit nuk kanë zbuluar asgjë tjetër.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës Refki Morina.
“Nga shpërthimet që ndodhën brenda kësaj jave në Prishtinë nga hetimet e policisë si rezultat është se mjeti i dyshuar është TNT, që ka qenë i vendosur në çanta plastike”.
Policia sipas zëdhënësit Morina, nuk ka informacione as rreth çantës me eksploziv që u gjet në RTK.
“Mbrëmë rreth 16:30, nga zyrtarët e RTK-së jemi njoftuar se një çantë e dyshuar ndodhet afër grilave të RTK-së. Pasi kanë shkuar ekipet e KFOR-it, policisë etj, është vërtetuar se ka pasur mjet shpërthyes, 200 gramë mjet shpërthyes”.
Ndërkohë, zëdhënësi i KFOR-it Charles de Kersabiec i ka quajtur të gjitha shpërthimet incidente të izoluara.
“Për KFOR-in situata mbetet e qetë, pavarësisht nga këto incidente të izoluara, por KFOR-i e dënon përdorimin e dhunës, sepse për ne dhuna nuk është mënyra për të komunikuar dhe Kosova nuk ka nevojë për dhunë”, tha për Radion Evropa e Lirë, koloneli de Kersabiec.
Deri tash policia nuk ka arrestuar askënd rreth shpërthimeve, por nuk ka as të dyshuar. Ndërkohë, zëdhënësi Refki Morina kërkon bashkëpunim më të madh me qytetarët.
“Në lidhje me tre shpërthimet e asaj nate kemi dëshmitarë që flasin, japin informata, por ende kërkohen dëshmitarë që kanë vërejtur apo parë, që të lajmërojnë policinë, sepse do t’i ndihmonin hetimeve të mëtejme të ekipeve të SHPK-së e KFOR-it”.
Në anën tjetër koloneli de Kersabiec beson në pjekurinë e kosovarëve për t’u distancuar nga dhuna.
“Siç e thashë ka pasur incidente të izoluara, por KFOR-i beson në pjekurinë e kosovarëve. Besojmë se shumica e refuzon dhunën, ndoshta ka disa që e përdorin atë, por jo shumica,” tha de Kersabiec.
Mbrëmjen e 2 korrikut Prishtina është tronditur nga tre shpërthime të njëpasnjëshme që ndodhën brenda selisë së UNMIK-ut, përballë OSBE-së dhe në afërsi të Kuvendit të Kosovës, të cilat shkaktuan dëme materiale, por jo edhe pasoja në njerëz. Dy ditë më vonë në Zubin Potok një bombë dore është hedhur në zyrat e Partisë Demokratike serbe të Kosovës, lider i së cilës është ministri i Kthimit Sllavisha Petkoviq.
Ndërkaq, dje policia ka evakuuar tërë stafin e RTK-së, për shkak se në oborr të ndërtesës është gjetur një çantë me eksploziv.
Deri tash askush nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet.


XS
SM
MD
LG