Ndërlidhjet

logo-print

LONDRA PO I KTHEHET NORMALITETIT


Rober Parson, RFE/RL Londër

Londinezët i janë kthyer mëngjesin e sotëm punës, derisa forca të shtuara policie janë nëpër rrugë. Zyrtarët thanë se transporti thuajse i është kthyer normalitetit. Korrespondneti i Radios Evropa e Lirë Robert Parson, i cili është në vendin e ngjarjes thotë:
"Mendoj se stoik është fjala që gjithkush po përdor në Londër mbrëmë dhe sot. Çdokush duket i vendosur të vazhdojë jetën normalisht. Sistemi nëntokësor i transportit ndryshe nga ç'pritej po funksionon normalisht me përjashtime të vogla", thotë Parson.
Njësitë anti terror të policisë britanike kanë filluar të mbledhin provat që do të mund të dëshmojnë se kush qëndron pas sulmeve të djeshme, ndërsa kanë kërkuar nga njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, nëse lëvizjet nuk janë të domosdoshme. Ministri i Brendshëm britanik ka tërhequr vëmendjen se Britania mund të jetë sërisht cak i sulmeve terroriste. Sulmet e mundshme sipas Clarke, janë preokupimi kryesor i forcave të sigurisë. Për momentin po shihet nëse ka pasur atentatorë vetëvrasës të përfshirë në këto sulme, apo ato u komanduan me telefona dore. Megjithatë të gjithë ndajnë mendimin se sulmet në Londër ishin të planifikuara, të bashkërenduara mirë dhe të fokusuara mbi shënjestra të lehta. Sipas analistëve të terrorizmit. kjo mënyrë veprimi të bën të mendosh për grupet e lidhura me Al Kaidën. Ekspertët mendojnë se bëhet fjalë për një lëvizje të decentralizuar terroriste, ndonëse zyrtarët britanikë nuk kanë përjashtuar as format e tjera të terrorizmit. Zyrtarisht nuk është konfirmuar ende vërtetësia e mesazhit të grupit "Organizata sekrete e Xhihadit të Al Kaidës në Europë", i cili ka marë përsipër sulmin. Specialisti Ian Bremer e beson këtë pohim.
"Ata po përpiqen të tërheqin vëmendjen e gjithë botës. Një mënyrë e mirë për ta arritur këtë është duke sulmuar qendrat urbane. Kur këto sulme kombinohen me hapjen e samitit të G8, atëherë të gjitha gjurmët të çojnë drejt Al-Kaidës", thotë Bremer. Të gjithë ekspertët e terrorizmit krahasojnë ngjarjen e djeshme me sulmet ndaj trenave në Madrid ku humbën jetën 191 persona. Sulmet u morën përsipër menjëherë nga një grup i Al-Kaidës. Autoritetet spanjolle dolën në përfundimin se ato sulme ishin organizuar nga keqbërës lokalë, të lidhur me Al-Kaidën. Mathew Levitt, ish-anëtar i FBI-së, analist i antiterrorizmit, mendon se shpërthimet e Madridit dhe ato të Londrës ndoshta janë organizuar nga e njëjta dorë.
"Unë mendoj se bëhet fjalë për të njëjtat grupime njerëzish, të bashkuar për të kryer këtë sulm. Prapa tyre qëndron ndonjë figurë më e rëndësishme, ndoshta e Al Kaidës, por sulmi është kyer nga ndonjë celulë lokale e improvizuar, që nuk ka egzistuar më parë si e tillë, por është ngritur për të planifikuar këto shpërthime", mendon Levitt. Ndërsa Rita Katz, gjithashtu specialiste në luftën kundër terrorizmit në Uashington, mendon se këto sulme në Londër kanë qenë shumë të sofistikuara.
"Ata kanë pasur një plan, kanë vëzhguar, planifikuar, kanë pasur fonde, njohuri dhe eksperiencën e duhur për të organizuar gjithshka. Unë nuk do të habitesha nëse organizatorët do të ishin veteranë të kampeve afgane, madje ndoshta edhe të kampeve irakene", deklaron Katz. Për mendimin e ekspertit tjetër, Michael Radu, është shumë e rëndësishmë të zbulohet nëse kemi të bëjmë me sulme vetëvrasëse apo jo, ndërsa profesori Paul Wilkinson është i kujdesshëm në deklaratat e tij.
"Policia ka shumë eksperiencë dhe ata do të zbulojnë autorët. Ka pasur spekulime për bomba në autobusë, por unë mendoj se bëhet fjalë për sulme vetëvrasëse, edhe pse policia nuk e ka konfirmuar ende. Duhet të presim hetimet e policisë", shprehet Wilkinson, i cili gjithashtu beson se bëhet fjalë për goditje të Al Kaidës. Shumë ekspertë mendojnë se Britania duhet t'i dyfishojë forcat e sigurisë për t'u ruajtur nga ekstremistët islamikë. Sipas Radu dhe Katz, Londra është kthyer në qendër për rekrutimin e radikalëve islamikë, ekstremistëve ideologjikë dhe për mbledhjen e fondeve.
XS
SM
MD
LG