Ndërlidhjet

ARIFI: JAM I BINDUR SE VLERËSIMI PËR KOSOVËN DO TË JETË POZITIV


Avni Arifi, koordinator iqeverisë së Kosovës për standardet

RADIO EVROPA E LIRË
Dje grupet punuese për standardet kanë zhvilluar takimin e parë me ekipin e ambasadorit Kai Eide. Cili ka qenë qëllimi i këtij takimi dhe cili do të jetë bashkëpunimi juaj me zotin Eide dhe ekipin e tij?

AVNI ARIFI
Fillimisht ky ka qenë një takim që ne në bazë të rregullave e kemi praktikuar në periudhën e kaluar, mirëpo për shkak të pranisë së ekipit të Kai Eides, agjenda është adoptuar, pasi kemi vlerësuar që është me rëndësi që secili grup punues të prezantojë për të arriturat dhe sfidat e secilit prej tyre. Besoj se ka qenë një takim i mirë. Çdo grup ka qenë në nivel, çdo grup e ka prezantuar edhe në mënyrë të shkruar, edhe ka shpërndarë dokumentacionin ekipit të zotit Eide. Ky ka qenë takimi i parë dhe për këtë periudhë, e cila përfundon në datën 10, kur zoti Eide do të shkojë, nuk besoj se do të ketë më kontakte të një niveli të tillë. Zoti Eide ka dashur që të ketë një takim sa më i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë edhe dje është përsëritur se në standardin për çështje pronësore dhe atë të kthimit ka ngecje. Cilat janë masat që po ndërmerren që edhe në këto standarde të ketë një përparim të dukshëm që kërkohet?

AVNI ARIFI
Kur është në pyetje e drejta pronësore nuk ka ngecje në kuptim të zhvillimit të aktiviteteve, por kompletimi i plotë, plotësimi i plotë i standardit e drejta pronësore, do të kërkojë kohë dhe zhvillim institucional. Nuk ka ngecje në implementimin e standardeve prioritare. Kurse kur janë në pyetje kthimet e qëndrueshme, besoj se aktivitetet e qeverisë së Kosovës kanë qenë të shumta, në mënyrë që të mundësojë kthimin dhe të krijojë një ambjent, i cili do të mundësonte kthimin dhe qëndrimin e qytetarëve të saj. Megjithatë këtu ka patur ngecje, sepse një numër i madh, veçanërisht i pakicës serbe, nuk është kthyer në atë masë që kishin dëshiruar institucionet e Kosovës. Por në shumicën e rasteve, faktorët që kanë ndikuar në një kthim kaq të vogël, janë jashtë forcës dhe jashtë instrumenteve që posedon qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës, që kishin mundësuar një kthim më të madh. Në këtë aspekt, mendoj pikërisht se mungesa e bashkëpunimit apo fushatat e vazhdueshme mediale në Serbi, për prezantimin e Kosovës si një vend të krimit dhe terrorit, deklarimet politike, publike të Këshillit Koordinues serb, të qeverisë së Serbisë për Kosovën, si dhe mungesa, apo moslejimi i partisë tjetër serbe që të kyçet në institucionet e Kosovës nga Këshilli Suprem Serb, apo i Unionit Serbi Mali i Zi. Domethënë të gjitha këto kanë qenë faktorët, në të cilat ne nuk kemi patur instrumente që të ndikojmë, dhe të gjithë këta faktorë kanë ndikuar për një numër të të vogël të të kthyerve. Deri tani janë kthyer 12 500 njerëz, mirëpo ne përsëri kemi ndërmarrë aktivitete të ndryshme. Qeveria e Kosovës mbetet donatori më i madh në kthim. 8.8 milionë euro janë ndarë për kthime, 19 projekte janë të gatshme për t'u zbatuar dhe të gjitha këto zbatohen nën një bashkëpunim mes Ministrisë së Kthimit, UNDP-së dhe zyrës për komunitete të UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje kryeministri Kosumi ka paralajmëruar edhe njëherë që plani standardet për Kosovën, pas raportit të zotit Eide dhe hapjes për diskutime të statusit të Kosovës do të shndërrohen në planin e standardeve për integrimin e Kosovës në strukturat evro-atlantike. Si mendon qeveria që ta konkretizojë këtë qëllim?

AVNI ARIFI
Ne kurrë nuk e kemi fshehur faktin se standardet nuk janë plotësuar të gjitha dhe nuk e kemi kotnestuar as faktin se standardet janë në të mirë të qytetarit të Kosovës dhe interesave të saj dhe i kemi promovuar si të tilla. Ne besojmë se pavarësisht nga vlerësimi i zotit Eide dhe pavarësisht nga proceset, në të cilat do të kalojë Kosova, këto standarde duhet të implementohen sepse i shërbejnë interesave të Kosovës. Prandaj ne e shohim të domosdoshme që të punohet edhe më tutje drejt realizimit të standardeve të mbetura. Por tani duhet të ndryshojë perspektiva e standardeve në përgjithësi. Këto duhet të jenë standarde për Evropën dhe kjo duhet të jetë rruga për në Evropë. Besoj se pas 10 ditësh në qeverinë e Kosovës do të aprovohet strategjia, e cila është përgatitur nga zyra e koordinatorit për standarde. Strategjia për zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve deri në dhjetor dhe njëkohësisht pjesë e kësaj strategjie do të jetë shkrirja e standardeve në zyrën për integrime evropiane, ku faktikisht standardet do të menaxhohen nga zyra për integrime evropiane, pasi ato janë pjesa e standardeve që Kosova do t'i plotësojë në rrugëtimin e saj të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Arifi, ju vazhdimisht jeni deklaruar se prisni një raport pozitiv të ambasadorit Eide.

AVNI ARIFI
Po besoj dhe atë e besoj fuqishëm. Secila komunë e ka aprovuar strategjinë për kthim, gjë që ka qenë e pamundur përpara 6 viteve, e pamundur jo vetëm nga ne, por edhe ndërkombëtarët në shumë raste e kanë parë të pamundur një gjë të tillë. Por në masë të madhe, shoqëria kosovare, institucionet e Kosovës, kanë punuar për krijimin e klimës, një klime tolerante, që do të krijonte një Kosovë, e cila nuk ka qenë në 100 vitet e kaluara, një Kosovë që do të dijë t'i mbrojë interesat e qytetarëve dhe do të punojë për interesat e qytetarëve pavarësisht nga përkatësia etnike. Për arsye se ka patur progres, ka patur një angazhim dhe vullnet të fuqishëm nga shoqëria kosovare, në mënyrë që t'u prijë proceseve dhe të krijojë aktivitete që do ta bënin Kosovën një shoqëri demokratike, nuk ka asnjë njeri që mund ta kontestojë një gjë të tillë. Prandaj po e rikonfirmoj atë që thatë, unë jam shumë i bindur se nuk mund të ketë tjetër vlerësim, përveç atij pozitivit për punën e Kosovës.

Intervistoi: Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG