Ndërlidhjet

EIDE VLERËSON DISA ZHVILLIME POZITIVE NË FUND TË VIZITËS SË DYTË NË KOSOVË


Në Kosovë ka përparim në fushën e përmbushjes së standardeve, por ka edhe probleme, ka thënë sot në Prishtinë, i dërguar i sekretarit Anan për vlerësimin e gjithanshëm të gjendjes në Kosovë, ambasadori Kai Eide. Ai është takuar gjatë ditës me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova, i cili ka thënë se vlerësimi pozitiv i përmbushjes së standardeve do t’i hapte Kosovës një derë drejt të ardhmes, e cila sipas presidentit Rugova është pavarësia.
Ambasadori norvegjez në NATO, Kai Eide, i cili pati përpiluar vitin e kaluar një raport lidhur me trazirat e marsit, tani i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka ardhur në Kosovë me misionin e vlerësimit përfundimtar të përmbushjes së standardeve dhe aspekteve të tjera politike. Këto të fundit nëse do të vlerësohen pozitivisht do t’i hapin rrugë përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Zoti Eide, i cili ka vizituar disa rajone të Kosovës gjatë dhjetë ditësh, tha se kishte vërejtur përparim.
"Natyrisht se ka përparim, por edhe ka probleme, ashtu siç edhe kemi pritur, mirëpo në këtë fazë nuk mund të jap ndonjë vlerësim", tha ambasadori Eide. Ai tha se do të kthehej në Kosovë diku nga mesi i muajit gusht dhe vetëm atëherë do të mund të flitej për një pasqyrë më të plotë dhe më të qartë të përparimit të arritur në fushat që janë vëzhguar.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se në Kosovë ka mjaft përparim, ndërkohë që pavarësia do të ishte zgjidhje për shumë probleme.
"Është një gjendje stabile, gjendja e sigurisë është më e mirë. Ne po bëjmë përpjekje ta vazhdojmë progresin tonë, të kemi sa më shumë progres në këto fusha, por siç e dini, qëndrimi ynë është që me njohjen e pavarësisë, këto probleme do të ecnin më shpejt", tha z. Rugova.
Presidenti Ibrahim Rugova i tha zotit Eide se nuk do të dëshironte të ndikonte në përpilimin e raportit të tij, por tha se ai ishte një raport i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.
"Mendoj se ka elemente se do të bëhet një vlerësim më pozitiv, por është çështje e juaja, ju jeni të pavarur dhe nuk dua të ndikoj, por një vlerësim pozitiv do të hapte një derë të vogël, një perspektivë për të ardhmen e Kosovës, që për ne është pavarësia", theksoi kryetari Rugova.
Ambasadori Kai Eide ka ardhur fillimisht në Kosovë në mesin e muajit të shkuar, ndërsa kjo është xhiroja e dytë e misionit të tij, ndërkohë që vizita e tij përfundimtare në Kosovë në këtë mision do të fillojë në mesin e muajit të ardhshëm. Fillimisht qe thënë se përpilimi i raportit të zotit Eide do të zgjasë tetë javë, mirëpo vetë ambasadori Eide ka thënë se raporti do të marrë aq kohë sa do të jetë e nevojshme për një raport real dhe objektiv.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG