Ndërlidhjet

SHËNOHET 10 VJETORI I MASAKRËS SË SREBRENICËS


Ron Synovitz

Sot afro 50 mijë njerëz u tubuan në Srebrenicë me rastin e shënimit të 10 vjetorit të masakrës, në të cilën u vranë më se 7800 mijë myslimanë.
Pos atyre që e mbijetuan këtë masakër dhe mysafirëve lokalë, në këtë ceremoni përkujtuese merrnin pjesë edhe të ftuar të jashtëm dhe anëtarë të presidencës së Bosnjës, që është e përbërë prej tre anëtarësh dhe që e ka udhëhequr këtë vend prej se u nënshkrua Marrëveshja e Dejtonit, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Momenti kryesor i ceremonisë përkujtuese ishte varrosja e 610 burrave dhe të djemve myslimanë, mbetjet e të cilëve u zbuluan nga një varr masiv në këtë hapësirë.
I pari pas ceremonisë së varrimit foli anëtari i presidencës tre-anëtarëshe të Bosnjës, Sulejman Tihiq, përfaqësues i myslimanëve të Bosnjës. Ai fajësoi Kombet e Bashkuara që lejuan që të bëhej masakra. Pastaj ai fajësoi edhe serbët nga Bosnja dhe ata nga Serbia për kryerjen e vrasjeve masive:
"Për hir të së vërtetës, që është bazë për të ardhme më të mirë, me këtë rast më duhet të përsëris se Kombet e Bashkuara dështuan t'i mbrojnë banorët e këtij qyteti, që ishte nën mbrojtjen e tyre. Ata e dorëzuan atë te forcat ushtarake serbe që bënë gjenocid duke vrarë 7808 boshnjakë", tha zoti Tihiq.
Ai po ashtu u përkujtoi të ftuarve nga bota se drejtësia ende nuk e ka bërë punën e saj. Ai ftoi për arrestimin dhe dënimin e atyre që janë të akuzuar për gjenocid nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara në Hagë, përfshirë këtu ish liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe komandantin ushtarak, Ratko Mlladiq. Në këtë aspekt, Sulejman Tihiqi, tha:
"Familje të nderuara. Nuk kam fjalë për dhembjet dhe vuajtjet tuaja. Askush nuk mund t'jua kthejë apo t'jua zëvendësojë të dashurit tuaj. Ajo që mund ta bëjmë tani është t'i gjejmë të zhdukurit dhe të vrarët, t'i varrosim ata me dinjitet dhe t'i dënojmë ata që janë përgjegjës për këto krime. Veçanërisht, kriminelët më të kërkuar Karaxhiqin dhe Mlladiqin", tha Sulejman Tihiq.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Mark Braun, para të pranishmëve e lexoi një letër të Sekretarit të Përgjithashëm Kofi Anan, në të cilën pranohen dështimet, si nga komuniteti ndërkombëtar, ashtu edhe nga Kombet e Bashkuara.
"Ne mund të themi dhe kjo është e vërtetë se shtetet e mëdha dështuan të veprojnë në mënyrë adekuate. Mund të themi se është dashur të ketë forcë më të fuqishme ushtarake në terren dhe vullnet më të madh për t'a përdorur atë. Ne mund të themi se fajësia para se gjithash u takon atyre që e planifikuan dhe e kryen masakrën", tha zoti Braun.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ish ambasadori amerikan, Riçard Hollbruk, arkitekt i Marrëveshjes së Dejtonit, me të cilën përfundoi lufta në Bosnjë, presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç dhe ai i Serbisë, Boris Tadiç.
Prania e zotit Tadiç konsiderohet një gjest i rëndësishëm, duke pasur parasysh mbështetjen politike dhe ushtarake që Serbia u kishte dhënë serbëve të Bosnjës gjatë luftës.
Zoti Tadiç ishte ballafaquar me kritika në Beograd nga nacionalistët e linjës së fortë, për vendimin e tij për të marrë pjesë në këtë ceremoni përkujtimore. Presidenti i Serbisë është përgjegjur se po i nderonte, siç u shpreh ai, "viktimat e pafajshme të krimit që është bërë atje". Ai po ashtu ka thënë se vizita e tij ishte e domosdoshme për krijimin e besimit të plotë dhe të bashkëpunimit në rajon, për ta ndalur, siç tha ai "qarkun e së keqes në Ballkan".

XS
SM
MD
LG