Ndërlidhjet

KONFERENCA NDËRKOMBËTARE, MODALITETI MË I MUNDSHËM PËR ZGJIDHJEN E STATUSIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës duhet të përmbyllet me pavarësinë e Kosovës, kurse format se si do të arrihet kjo zgjidhje mund të jenë të ndryshme, thonë përfaqësues të institucioneve, ata të opozitës dhe intelektualë kosovarë. Asnjëri prej tyre nuk e përjashton mundësinë e organizimit të ndonjë konference ndërkombëtare, e cila do të kishte në agjendë zgjidhjen e statusit të Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Muhamet Hamiti, thekson qëndrimin e presidentit Rugova, se njohja e pavarësisë do të ishte zgjidhja më e mirë. Por, ai nuk e përjashton edhe mundësinë e organizimit të ndonjë konference ndërkombëtare, për arritjen e një konsensusi ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës:
“Ka ardhur koha që statusi politik i Kosovës të zgjidhet me njohjes së drejtpërdrejtë siç e parapëlqejmë ne, apo me provën e arritjes së konsensusit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe mundësinë e organizimit të një konference ndërkombëtare që do ta sanksiononte këtë. Kosova duhet të arrijë në cakun e vet të paevitueshëm, që është pavarësia dhe sovraniteti i plotë. Përcaktimi ynë është pavarësia, si zgjidhje optimale që respekton parimet demokratike të vullnetit të shumicës dhe vlerat e demokracisë përfaqësuese”, tha Hamiti.
Ndërkohë që subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, sipas zyrtarit të saj Enver Hoxhaj, vlerëson se pas raportit të Kai Eides për shkallën e përmbushjes së standardeve, Grupi i Kontaktit do të duhej të caktonte një agjendë kohore me data konkrete, se në çfarë forme do të adresohej statusi përfundimtar. Hoxhaj mendon Kosova nuk ka nevojë të hyjë në ndonjë “status quo” të sërishëm. Kurse caktimi i ndonjë emisari të posaçëm, sipas tij, nuk duhet të ketë si mision të vetin fillimin e bisedimeve me Beogradin, por me bashkësinë ndërkombëtare:
“Kosova nuk ka nevojë që të hyjë në një fazë të “status quos” së dytë. Qoftë përmes një konference ndërkombëtare, qoftë edhe përmes takimeve të pareshtura të Grupit të Kontaktit, Prishtina në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare të vendosin për statusin përfundimtar të Kosovës”, tha Hoxhaj.
Në anën tjetër, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, mendon se zgjidhja më e mirë do të ishte organizimi i një konferencë ndërkombëtare me qëllim të caktuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por që nuk duhej të ishte e tipit të Rambujesë. Organizimi i një konferencë me agjendë të caktuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, sipas Hasanit do të ishte forma më e mirë, por bazuar në ecurinë e procesit, ai mendon se procesi po orientohet edhe kah mundësitë dhe format e tjera të zgjidhjes së statusit:
“Forma më e mirë do të ishte që të bëhej një lloj konference ndërkombëtare, e cila do të ishte proces që do të quhej si procesi i konferencës për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe jo si në Rambuje. Mirëpo tani sa do të jetë kjo reale, gjykuar sipas asaj që po ndodh, mënyrës se si po shkojnë proceset e përgatitjes për status, ka pak gjasa të ndodhë përmes një procesi të tillë gjatë një konferencimi për çështje të statusit”, theksoi Hasani.
Profesori Hasani nuk e përjashton mundësinë që për statusin e Kosovës të merren modele të ngjashme me atë të Dejtonit, apo të zgjidhjes së statusit të vendeve tjera, siç ishte rasti i Alegjerisë apo paqja e Mozambikut.
Mirëpo pavarësisht rrjedhës së procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës, me qëllim të përgatitjeve për këtë fazë, në Prishtinë tashmë është formuar një Forum politik gjithëpërfshirës, i cili në agjendën e vet ka dhe përgatitjen e platformës për zgjidhjen e statusit dhe përgatitjen e palës së Kosovës për procesin negociator.



XS
SM
MD
LG