Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: RUSIA DHE KINA JANË TË PAKËNAQUR QË I KANË TRUPAT PERËNDIMORE NË KUFIJTË E TYRE


"Ajo që tash duan rusët është që të mos i kanë amerikanët në krahun lindor dhe në atë perëndimor, ndërsa kinezët nuk dëshirojnë që amerikanët ti kenë në krahun e tyre perëndimor", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore duke folur për disa zhvillime në Azinë Qendrore.

RADIO EVROPA E LIRË
Një zyrtar i lartë i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka akuzuar Kinën dhe Rusinë se "po përpiqen ti frikësojnë" vendet e vogla të Azisë Qendrore, Uzbekistanin dhe Kirgizinë, ku ka trupa amerikane. Si e komentoni ju këtë zhvillim?

PATRICK MOORE
Sigurisht që ka elemente të së vërtetës këtu. Moska dhe Pekinni po përpiqen ti frikësojnë këto vende. As Rusia dhe as Kina nuk e dëshirojnë praninë e trupave amerikane atje dhe ato nuk kanë qenë asnjëherë të kënaqura me këtë. Këto gjëra rusët nuk i shikojnë vetëm në Azinë Qendrore por edhe në Baltik, vendet e të cilit janë pranuar në Nato , pastaj në vendet e Evropës Lindore, që dikur ishin të okupuara nga Bashkimi Sovjetik, e që tash janë poashtu në Nato. Nga ana tjetër, Kina përreth vetes i sheh trupat amerikane në Kore dhe në Japoni. Mëtutje, kinezët e dinë se Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të fuqishme strategjike me Tajvanin. Pra, ajo që tash duan rusët është që të mos i kanë amerikanët në krahun lindor dhe në atë perëndimor, ndërsa Kinezët nuk dëshirojnë që amerikanët ti ketë në krahun e tyre perëndimor. Unë thashë që ka elemente të së vërtetës në këtë, pasi kjo nuk është vetëm çështje e frikësimit. Në vendet e Azisë Qendrore ekzistojnë pushtete diktatoriale, ashtu siç shkruajti edhe e përditshmja gjermane, Franfurter Allgemajne Cajtung. Ajo që po ndodhë tash është se diktatorët po e kuptojnë se vendet perëndimore e thonë atë që e mendojnë...dhe kur ata thonë që e inkurajojnë demokracinë në mbarë botën, disa nga këta diktatorë bëhen nervozë. Prandaj, sipas së përditshmes Franfurter Allgemajne Cajtung, diktatorët janë në kërkim të partnerëve më të afërt, partnerëve të ngjashëm, që në esencë janë diktatorët e tjerë. Pra, në bashkëpunim të ngushtë me Moskën dhe Pekinin, nëpërmjet të Këshillit për bashkëpunim të Shangait ata e ndjejnë veten sikur në shtëpi të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëherësh, komandanti i forcave ajrore të Rusisë, Vladimir Mikhailov ka thënë se Moska po planifikon dyfishimin e trupave në bazën Kant në Kirgizi. Poashtu ka raporte se Rusia po e forcon praninë e saj në Taxhikistan?

PATRICK MOORE
Po, kjo është e vërtetë. Siç thashë, ata kurrë nuk kanë qenë të kënaqur me faktin se i kanë trupat perëndimore në kufijtë e tyre, pasi asnjëherë nuk e kanë pranuar humbjen e Perandorisë sovjetike. Tash, disa nga diktatorët në rajonin e Azisë Qendrore në mënyrë nervoze po i mbështeten Vladimir Putinit. Por, shtrohet pyetja se sa këta njerëz, që janë produkt të ish sistemit sovjetik dhe kanë etje të madhe për pushtet, mund ti besojnë presidentit rus, që ishte pjesëtarë i KGB-së? Mendoj se liderët e Azisë Qendrore duhet ta dijnë se nëse janë shumë të afërt me zotin Putin dhe ai pastaj vendos se ata nuk janë kukulla të besueshme për të, atëherë këta diktatorë mund të kenë probleme me vetë zotin Putin.

RADIO EVROPA E LIRË
Të kalojmë tash në raportet Shtetet e Bashkuara – Kina. Një zyrtar i latë i ushtrisë kineze tha se Kina mund ta përdorë armatimin bërthamor kundër Shteteve të Bashkuara si ndëshkim për ndonjë sulm eventual të Amerikës kundër Kinës lidhur me konfliktin potencial për Tajvanin, siç e thatë edhe ju më parë. A do të thotë kjo se tensionet e ardhshme do të fokusohen në Azi?

PATRICK MOORE
Kjo do të thotë se marrëdhëniet strategjike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë të tensionuara dhe me gjasë do të mbeten të këtilla. Të shohim se çka po ndodhë këtu. Këtë deklaratë që e përmendët e tha gjenerali kinez Zhu Xhu këtë javë para korrespondentëve me seli në Hongkong, që e vizituan Kinën. Këtu i kam tri citate nga Nju Jork Tajmsi. Së pari zoti Zhu tha: nëse amerikanët i hedhin raketat e tyre në zonat e territorit të Kinës, mendoj se ne duhet të përgjigjemi me armatim bërthamor. Citati tjetër i këtij gjenerali është "logjika e luftës dikton se fuqia më e dobët duhet të bëjë përpjekje maksimale për ti shkaktuar disfatë rivalit më të fuqishëm. Ne nuk kemi kapacitete për të luftuar me mjete konvencionale kundër Shteteve të Bashkuara. Ne nuk mund ta fitojmë një lloj të këtillë të luftës". Citati i tretë është "nëse amerikanët janë të vendosur për të ndërhyrë, atëherë ne do të jemi të vendosur për tu përgjegjur. Ne kinezët do ta përgatisim vetveten për shkatërrimin e të gjitha qyteteve në lindje të Shanit. Kuptohet amerikanët duhet të jenë të përgatitur që qindra qytete do të shkatërrohen nga kinezët". Këto deklarata vërtetë janë diçka e habitshme. Shan është në perëndim të Pekinit dhe kjo do të thotë se kinezët në mënyrë të qetë po kalkulojnë se ata mund ta humbin një pjesë të territorit të tyre, prëfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të industrisë. Kjo është diçka tepër befasuese sepse në këtë mënyrë fliste edhe Mao Ce Duni, para 45 vitesh. Atëherë kjo totalisht e kishte frikësuar Nikita Hrushçovin e Bashkimit Sovjetik, pasi Mao ishte në një gjendje afekti kur tha se Kina do të ishte në gjendje që të luftoj, të mbijetoj dhe ndoshta edhe ta fitoj luftën bërthamore. Në atë kohë ai më tepër fliste për Bashkimin Sovjetik se sa për Shtetet e Bashkuara, por sigurisht është dëshpëruese që një zyrtar i lartë e përdorë këtë fjalor në ditët e sotme. Lidhur me këtë çështje ka shkruar edhe Fajnenshël Tajmsi, duke cituar disa ekspertë perëndimor që kanë thënë se gjenerali Zhu është një person agresiv dhe ai flet pa asnjë autorizim. Ai vetë ka thënë se nuk e shprehë politikën zyrtare dhe se nuk pret që të ndodhë lufta. me këtë rast dëshiroj ta përmend librin "Perandoria e re e Kinës" nga autori Ros Teroll, që është ekspert për Kinën. Në këtë libër ai, pos tjerash, e përshkruan mënyrën se si një nëpunës kinezë me mjeshtri e përdorë "teatrin politik". Ai këtë e quajti "Opera e Pikinit". Në këtë libër shkruan se kjo traditë në Kinë është e vjetër me shekuj dhe ndoshta gjenerali i ditëve të sotme, Zhu na e paraqet vetëm një tjetër shfaqje të "Operës së Pekinit". Kjo bëhet para publikimit të raportit për Kinën dhe për rolin strategjik të Kinës në botë nga ana e Pentagonit amerikan, që pritet javën që vjen.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG