Ndërlidhjet

E. HOXHAJ: PROCESI I DECENTRALIZIMIT BART ME VETE KUNDËRSHTI TË MËDHA


Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Pas disa shqetësimeve të paraqitura fundjavën e kaluar nga kryeministri Bajram Kosumi lidhur me decentralizimin, dje qeveria megjithatë është shprehur e gatshme, që duke filluar nga 20 korriku, të zbatojë pilot-komunat, të cilat do të shërbejnë për të testuar këtë proces. Si i shihni ju këto zhvillime nga këndi juaj dhe i opozitës?

ENVER HOXHAJ
Ne si parti politike kemi qenë që nga fillimi, që vërtetë të ndodhë një reformë e pushtetit lokal dhe të kemi një proces të decentralizimit, i cili do t'i përmbushte interesat dhe nevojat e gjithë qytetarëve të Kosovës. Forma se si ndodh aktualisht procesi i decentralizimit, përmes komunave pilote, është një lloj improvizimi dhe vetëm në fushën e deklaratave, qeveria aktuale reflekton kundërshtitë në qasjen e saj, reflekton mungesën e vizionit, reflekton një situatë, e cila do të jetë shumë më komplekse në atë moment që do të fillojë implementimi i saj. Ne si parti politike mendojmë që me debatin që kemi patur në Kuvend, e kemi arritur një konsensus dhe kjo çështje ka nevojë edhe për konsensus politik, edhe për konsensus shoqëror. Kështu që është pak e pakuptueshme se si qeveria e Kosovës, pa e rikthyer çështjen edhe njëherë në Kuvendin e Kosovës, ose dhe pa një debat të mirëfilltë në Forumin e Kosovës, fillon një proces, i cili ndoshta vërtet do të mbartë me vete kundërshti të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë cilën formë e preferoni më tepër si Parti Demokratike dhe sa në fakt, bazuar në diskutimet që kanë qenë në Kuvendin e Kosovës, përkrahen pilot-komunat nga Partia Demokratike?

ENVER HOXHAJ
Brenga jonë kryesore ka qenë pse të fillohet me një proces të tillë, para se të përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës. Ne ende më tutje kemi frikë që paralelisht krijojmë fakte në terren, përderisa në atë moment kur të fillojë të përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës, procesi i decentralizimit do të dizajnohet që nga fillimi. Sa i përket komunave të projekt piloteve, brenga jonë kryesore ka qenë dhe mbetet, që për një proces të tillë, nuk ka infrastrukturë të nevojshme ligjore. Ne mendojmë se qeveria e Kosovës nga nëntori i kaluar, ka patur mjaft kohë që vërtet t'i hartojë këto ligje dhe mos fillojë një fazë eksperimentale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hoxhaj, Ministri i Pushtetit Lokal, zoti Lutfi Haziri, ka thënë fundjavën e kaluar, se edhe standardi që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes dhe ai për kthimin e qëndrueshëm, do të mund të shënonin përparime, nëse do të mund të fillohej procesi i decentralizimit. Sa konsideroni se mund të ndihmojë njëri standard tjetrin standard përmes këtij procesi?

ENVER HOXHAJ
Unë nuk mendoj se territori do të jetë në gjendje ta zgjidhë vërtet lirinë e lëvizjes. Përkundrazi, nëse procesi i decentralizimit ndodh në baza etnike dhe respekton vetëm parimin etnik, ai nuk krijon ambjent të nevojshëm për liri të lëvizjes, por krijon ambjent të përshtatshëm për fortifikim të grupeve etnike që jetojnë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë kësaj jave pritet që Forumi Politik i Kosovës të diskutojë dhe çështjen e sigurisë në Kosovë. Duke e parë nga këndvështrime të ndryshme, thuhet se çështja e sigurisë nuk është vetëm një çështje komplekse e asaj që konsiderohet siguri për shumicën dhe pakicën, por edhe egzistim i disa shërbimeve të inteligjencës përbrenda partive politike. Prandaj cili mendoni se duhet të jetë adresimi i Forumit në këtë çështje?

ENVER HOXHAJ
Forumi i Kosovës duhet të jetë vendi, i cili fillon të adresojë tema, që shpesh herë janë edhe të pakëndshme për partitë politike. Mirëpo është interes i qytetarëve të Kosovës dhe është interes i Kosovës, që mbi të gjitha të sundojë ligji, që mbi të gjitha të kemi institucione të fuqishme, të zgjedhura nga qytetarët e Kosovës dhe mbi të gjitha të fillojmë të kultivojmë elementin e llogaridhënies. Aspekti i sigurisë është i ndjeshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, kështu që Kosova do të kishte përcjellë mesazhe të mira, nëse Forumi që në takimin e parë, vërtet ofron rekomandime të cilat në muajt e ardhshëm do të kenë edhe efekt konkret në jetën tonë publike.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht në Kosovë është duke qëndruar kohë pas kohe dhe një ekip i ambasadorit Kai Eide, i ngarkuar për të vlerësuar shkallën e përmbushjes së standardeve. Cilat janë pritjet tuaja lidhur me raportin që zoti Eide do t'i dërgojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe rrjedhimisht, a prisni nga kjo që gjatë vjeshtës të hapet procesi i diskutimeve për statusin e Kosovës?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që zoti Eide deri tani, në shumë intervista, në shumë takime, ka reflektuar që do ta bëjë një vlerësim të tërë gjendjes politike që ka Kosova dhe që ka patur Kosova këto vite. Raporti i tij do të jetë evaluim dhe vlerësim, jo vetëm i punës së institucioneve vendore, por do të jetë një vlerësim i vetë punës së bashkësisë ndërkombëtare, i vetë punës së UNMIK-ut. Një raport i tillë do ta ketë mundësinë të reflektojë në një formë të prerë dhe të balancuar të gjitha anët pozitive dhe të gjitha anët negative që i ka Kosova. Mund të ofrojë rekomandime shumë të fuqishme se si të tejkalohet kjo situatë vitet e ardhshme.
Në të njëjtën kohë jam shumë i sigurt se do të ofrojë një rekomandim kryesor, që është shpresa kryesore e qytetarëve tonë të Kosovës, që sa më parë të nisë debati rreth statusit përfundimtar të Kosovës. Brenga ime personale është që pas një raporti të mundshëm pozitiv të zotit Eide, a do të ketë Kosova agjendë të prerë kohore. Mendimi im dhe mendimi i Partisë Demokratike është, që ne sa më herët të kemi një datë të prerë ose një plan operacional me data konkrete, se kur do të fillojë të adresohet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, kur do të përfundojë dhe cila do të jetë përmbajtja e tij. Kosova nuk ka nevojë ta ketë përsëri një proces të pafund politik, siç ka qenë në rezolutën 1244 këto gjashtë vite dhe të jemi një vend pa afate dhe pa mision. Kosova ka nevojë për një agjendë të prerë kohore, për data të prera.

Intervistoi Zijadin Gashi





XS
SM
MD
LG