Ndërlidhjet

U HAP RRUGA MBI IBËR NË MITROVICË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Që nga mesnata e shkuar ura kryesore mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës do të jetë e hapur gjatë gjithë kohës, ndërkohë që gjatë kësaj kohe policia nuk ka vërejtur asnjë incident të ketë ndodhur. Zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë, Larry Miller tha se gjithçka po shkon sipas parashikimeve dhe ura kryesore që lidh pjesë jugore të Mitrovicës me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serbe mund të kalohet gjatë gjithë ditës dhe pa kufizime:
"Para së gjithash situata është e qetë dhe ura është e hapur që nga mesnata dhe do të mbetet e hapur gjithë kohën, pra 24 orë në ditë," tha zëdhënësi Miller.
Ura mbi lumin Ibër, që gjashtë vjet ka qenë e ruajtur nga forcat e KFOR-it dhe nëpër të nuk është lejuar kalimi i veturave, ndërsa këmbësorët janë legjitimuar, tani është e hapur si për këmbësorët, si për trafikun e veturave. Zëdhënësi Miller ka inkurajuar qytetarët që ta kalojnë urën për të kryer punët e veta dhe ka thënë se deri më tash nuk ka shumë trafik:
"Ne e kemi inkurajuar kalimin e urës që nga dita e parë kur e kemi hapur. Që nga data gjashtëmbëdhjetë ka pasur 125 vetura që e kanë kaluar urën, shumica e të cilave kanë qenë vetura private të ndërkombëtarëve, por ka pasur edhe vetura të vendorëve," tha zëdhënësi Miller, duke shprehur besimin, se gjatë ditës do të ketë edhe trafik veturash. Ura mbi lumin Ibër aktualisht sigurohet nga pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës dhe në ditët e shkuara ka qenë e hapur për kalim vetëm nga dy orë në ditë, ndërsa më pas, ky orar është rritur në katër orë në ditë, por vetëm për këmbësorët. Në fillim të hapjes së urës, qytetarët serbë patën protestuar, duke kundërshtuar hapjen e urës, mirëpo zëdhënësi i policisë Miller, tha se gjatë ditës së sotme nuk ka pasur probleme:
"Gjatë ditës së sotme nuk ka ndodhur asgjë, pra nuk ka ndodhur as edhe një incident," tha zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë, Larry Miller.
Ura kryesore mbi lumin Ibër deri më tash ka qenë simbol i ndarjes së qytetit të Mitrovicës në pjesën veriore të mbizotëruar nga serbët dhe në pjesën jugore të mbizotëruar nga shqiptarët. Strukturat komunale në Mitrovicë e kanë përshëndetur vendimin për hapjen e urës për kalim të lirë të qytetarëve, duke e parë këtë një hap drejt riintegrimit të qytetit.







XS
SM
MD
LG