Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN LANSON STRATEGJINË PËR KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës dhe administrata e UNMIK-ut, kanë lansuar sot strategjinë për kthim dhe komunitete. Kjo strategji është prezantuar dhe para përfaqësuesve të vendeve të Grupit të Kontaktit si dhe përfaqësuesve të partive më të mëdha politike, përfshirë dhe opozitën në Kosovë. Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen tha se kjo fazë nënkupton krijimin e të gjitha kushteve për të zhvendosurit që të kthehen, përfshirë këtu sigurinë, lirinë e lëvizjes dhe mundësisht edhe punësimin, por nuk nënkupton kthimin me forcë të askujt që nuk dëshiron të kthehet:
“Sfida më të cilën ballafaqohemi tani, është ajo që përmban dhe strategjia, që t’u jepet njerëzve mundësia që ata të mund të vendosin vetë nëse duan të kthehen apo jo”, tha Petersen. Suksesi i kthimit nuk matet me numra, por me krijimin e kushteve për kthim, rregullimin e çështjeve pronësore dhe punësimin e të kthyerve, tha shefi i UNMIK-ut.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se qeveria e tij po i bën të gjithë përpjekjet që të krijojë një mjedis të përshtatshëm për kthimin e të zhvendosurve. Nga debati i sotëm, ai tha se partitë politike kanë kërkuar që kjo strategji të kalojë edhe në Kuvend për miratim, për çka ai ishte pajtuar. Kryeministri tha po ashtu, se pengesë kryesore në çështjen e kthimit është mungesa e mjeteve financiare për të realizuar të gjitha projektet e kthimit:
“Ky dokument është vazhdimësi e punës së filluar më herët, që do të thotë se procesi i kthimit nuk fillon sot dhe se edhe në këtë moment janë duke u zhvilluar 19 projekte për kthimin e serbëve dhe refugjatëve të tjerë nëpër shtëpitë e tyre. Nevojiten rreth 21 milion euro për këto 19 projekte. Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe këtë vit afër 10 milion euro për kthime, e na mungon pjesa tjetër, por ne do të kërkojmë prej donatorëve që të gjejmë edhe këtë pjesë që të mund t’i realizojmë projektet e duhura”, tha Kosumi.
Në kthimin e personave të zhvendosur edhe këtë herë është përmendur roli i Beogradit, i cili sipas kryeministrit Kosumi, duhet t’i inkurajojë dhe jo dekurajojë njerëzit që të kthehen. Ndërkaq, Petersen tha se shifrat e tashme që flasin për 11 mijë të kthyer nuk janë aq të kënaqshme. Mirëpo sipas tij, bazuar në përvojat e Kroacisë dhe Bosnjes, kthimet kanë ndodhur kryesisht pesë apo gjashtë vite pas luftës, kështu që sipas tij, ky do të jetë një proces që do të zhvillohet gjatë disa viteve të ardhshme.


XS
SM
MD
LG