Ndërlidhjet

PRISHTINË


Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE Javier Solana, i ka kritikuar sot institucionet e Kosovës për ngadalësim të procesit të përmbushjes së standardeve dhe për decentralizimin. Solana ka kërkuar nga ata më shumë angazhim, dhe më shumë pilot projekte për serbët në kuadër të procesit të decentralizimit.
Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në Prishtinë pas takimeve me shefin e UNMIK-ut, me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, me liderët e opozitës, dhe me përfaqësues të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë.
"Isha vërtet i befasuar të shihja atë që do ta quaja ngadalësim në procesin standardeve dhe në procesin e decentralizimit", tha Solana duke e quajtur këtë një gabim, pasi sipas tij ky është një moment kur liderët e institucioneve duhet të bëjnë të kundërtën. Ai posaçërisht ka kërkuar nga institucionet që të fillojnë implementimin e pilot projekteve dhe që të ketë më shumë pilot projekte për serbët
Mirëpo, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen tha se një pjesë të madhe të fajit për këtë e ka edhe Beogradi, i cili nuk i ka lejuar serbët të jenë pjesë e institucioneve.
Për presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, mesazhi më i qartë i zotit Solana ishte mbështetja për integrimin e Kosovës dhe të rajonit në Bashkimin Evropian, kryeministri Bajram Kosumi tha se përcaktimi i BE-së për Kosovën evropiane ishte çështja kryesore që ishte diskutuar me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Vetë serbët sot kanë shpallur ndërkaq vendimin e tyre përfundimtar për vazhdim të bojkotit ndaj institucioneve. Oliver Ivanoviq deklaroi se i ka thënë shefit të diplomacisë së BE-së javier Solana, se serbët nuk do të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Sipas tij, ky vendim është marrë nga autoritetet e Beogradit.
XS
SM
MD
LG